E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjermani, goditet motorri nga zogjtë, shpëton nga aksidenti avioni

Një aeroplan me 80 pasagjerë, shumica e të cilëve shqiptarë, i ka shpëtuar për mrekulli një incidenti që mund të ishte me pasoja fatale. Aeroplani Boeing 737-700 me 80 pasagjerë në bord, ishte nisur nga Dyseldorfi i Gjermanisë dhe po fluturonte drejt Prishtinës. Foto dramatike janë bërë publike pasi avioni ndeshi një tufë zogjsh, gjatë ngritjes nga aeroporti i Dusseldorfit.
Tufa e shpendëve që u përplas me aeroplanin që po udhëtonte me 300 kilometra në orë, bëri që motori në anën e djathtë të dalë jashtë përdorimit. Sipas gazetës gjermane "Bild", aeroplani i "Germania Airlines" u detyrua të kthehej përsëri në pistë.
Disa zogj, rreth 20 centimetra të gjerë dhe me peshë rreth 75 gramë, goditën trupin e avionit dhe motorin si një bresheri plumbash.
"Zhurma e motorit u ndryshua në një shpërthim të papritur", ka thënë për "Bild", një dëshmitare.
"Ishte një situatë kritike, megjithatë ky Boeing mund të fluturojë vetëm me një motor", deklaroi Jörg Handëerg, zëdhënës i Unionit të Pilotëve - Cockpit.
Pasi ka pësuar goditjen e zogjve, piloti ka bërë zgjedhjen e duhur, duke u kthyer mbrapa dhe ulur në Dyseldorf, rreth 45 minuta më vonë. Zëdhënësi i Aeroportit, Christian Vitt, ka konfirmuar se njëri nga motorët ishte goditur nga zogjtë, dhe se aeroplan tani është duke u kontrolluar.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›