E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjermani, masakër në shkollë, i riu vret 16 persona

 

Politikanët në Gjermani po bëjnë thirrje për ligje më të ashpra ndaj përdorimit të armëve dhe kanë drejtuar gishtin kundër lojërave kompjuterike dhe medias, duke i akuzuar se kanë mbjellë një kulturë dhune te të rinjtë pas një masakre në një shkollë të mesme. Gjermania është në zi pas masakrës në shkollën pranë Shtutgartit ku humbën jetën 16 persona, mes të cilëve edhe shkaktari i tragjedisë, që vrau veten pasi u bind se nuk i shpëtonte dot policisë. Të mërkurën në mëngjes, 17-vjeçari Tim Kretschmer ka hyrë i veshur me rroba ushtarake të zeza në ish-shkollën e tij në Uinnenden, në periferi të Shtutgartit dhe ka qëlluar, duke vrarë 10 nxënës dhe 3 mësues. Kjo ishte ngjarja më e rëndë me armë që kur një tjetër i ri vrau 16 persona në një shkollë në Erfurt në vitin 2002. Ka pasur edhe një incident në vitin 2006 kur një njeri i maskuar sulmoi një shkollë në Emsdetten, duke plagosur 11 nxënës përpara se të vriste veten. Kancelarja gjermane Anxhela Merkel ka shprehur tmerrin pas krismave fatale të 11 marsit. “Kjo është një ditë dhimbjeje për të gjithë Gjermaninë. Eshtë e pakuptueshme që brenda pak sekondave një krim i tmerrshëm të çojë nxënës dhe mësues drejt vdekjes”, tha ajo para reporterëve në Berlin. Ngjarja ndodhi rreth orës 9:30 të mëngjesit. Dhjetë studentë dhe tre mësues humbën jetën menjëherë pas krismave të para. “Dëgjova dy të shtëna dhe më pas të bërtitura. Në fillim mendova se ishte shaka por më pas dëgjova dikë që bërtiste ‘vraponi, vraponi’”, tha një nxënës 15-vjeçar për AP. Pas sulmit Kretschmer ishte larguar nga vendngjarja. Njoftimet thonë se të paktën dy kalimtarë u vranë gjithashtu ndërsa ai qëlloi mbi policinë. Siç përshkruajë dëshmitarët, pasi ishte larguar nga shkolla i riu kishte kaluar pranë një klinike psikiatrike, ku kishte qëlluar një tjetër person. Më pas ai kishte rrëmbyer një makinë dhe e kishte detyruar shoferin ta çonte në Uendlingen, rreth 25 milje larg. Një skuadër speciale e forcave të policisë e identifikoi atë dhe nisi një betejë e fortë me armë. Dy kalimtarë humbën jetën dhe dy oficerë policie u plagosën. Media vendase njoftoi se policia kishte bastisur shtëpinë e të riut dhe kishte gjetur 16 armë. Babai i adoleshentit është një biznesmen i njohur në zonë, anëtar i një klubi qitjeje. Helikopterë të policisë të dy njësive ishin vënë në ndjekje të tij. Gjatë kësaj kohen të gjitha shkollat e qytetit ishin mbyllur dhe banorët ishin lajmëruar që të qëndronin nëpër shtëpitë e tyre derisa autori të vihej nën pranga. Shkolla e sulmuar ka rreth 1 500 nxënës. Më pas policia konfirmoi se vrasësi kishte humbur jetën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›