Ish-futbollisti i “Vllaznisë” pafajësi për akuzat e gjobëvënies dhe kanosjes
TIRANE – Një “faleminderit” në drejtim të trupës gjykuese dhe më pas shtrëngim duarsh plot buzëqeshje me mbrojtësin e tij ligjor. Kështu e ka përjetuar “lajmin” e pafajësisë ish-futbollisti i skuadrës së Vllaznisë i akuzuar për gjobëvënie. Gjykata për Krimet e Rënda ka deklaruar dje të pafajshëm Erogen Brajoviç mbi të cilin rëndonte akuza “shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për përfitim të pasurisë”. Vendimi u lexua nga gjyqtarja e Krimeve të Rënda, Nertina Kosova, e cila ishte kryesuesja e pesëshesh që gjykoi këtë çështje. Gjykata, pasi ka shqyrtuar të gjithë fashikujt e dosjes dhe është njohur me pretendimet e të dyja palëve, të mbrojtjes dhe të akuzës arriti dje në verdiktin që largoi nga akuza ish-futbollistin. Sipas vendimit për Brajoviçin, u shua masa e sigurisë “arrest shtëpie”. Në këtë masë sigurie ai qëndronte që prej nëntorit të vitit 2007. Në disa nga seancat e mëparshme, Prokuroria kishte paraqitur pretencën ku kërkonte dënimin me 2.4 vjet burg dhe 800 mijë lekë gjobë për ish-futbollistin. Ngjarja për të cilën Brajoviç akuzohej ka ndodhur në gusht të vitit 2007. Sipas Prokurorisë, aty ai ka pasur një grindje me L. Draganin dhe F. Rexhën. “Pas këtij konflikti, personi i pandehur për veprën penale u ka dërguar fjalë me persona të tjerë familjarëve të Rexhës dhe Draganit, për t’u mbyllur në shtëpi për shkak të konfliktit që kanë pasur më parë në plazh”, thuhej në kërkesën për gjykim. Po sipas organit të akuzës pretendohej se Brajoviç kishte vazhduar presionin ndaj dy personave. Sipas akuzës, ish futbollisti i ka marrë me forcë automjetin personal L. Draganit dhe ia ka mbajtur peng për 50 ditë. Duke iu referuar kërkesës për gjykim të prokurorisë ish-futbollisti i kishte kërkuar palës kundërshtare 50 mijë euro për të mbyllur sherrin. Më pas një kallëzim i bërë nga të lënduarit, ka çuar në arrestimin e Brajoviçit dhe vënien e tij përpara drejtësisë me akuzën e “shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për përfitim të pasurisë”. Ndërkohë që në përfundim të gjykimit të tij në shkallën e parë ai u shpall i pafajshëm. ar.ba