E Diel, 1 Nëntor 2026

Masakruan policët, autorët sherr në gjyq

 

Armand Bajrami

Seanca gjyqësore kundër të akuzuarve për masakrën e “Qafë-Gjashtës” u zhvillua dje me debate dhe fyerje mes të pandehurve të Krimeve të Rënda. Vladimir dhe Nestor Sinani, dy nga të akuzuarit për ngjarjen, reaguan ashpër nga kafazi i hekurt i sallës së gjyqit, kur dëgjuan se një nga të arrestuarit bashkë me ta kishte përmendur emrat e tyre në një dëshmi të dhënë 10 vjet më parë për policinë. Një fakt i tillë u bë prezent në gjyq nga dëshmitari Myzafer Elezi, ish-oficer i sektorit të antiterrorit në Policinë e Vlorës, i cili në vitin 1999 kishte kryer veprimet procedurale për dokumentimin e masakrës së Qafë-Gjashtës dhe kapjen e autorëve të saj. Në deklarimet e dhëna para oficerit të policisë, i akuzuari Flamur Këndezi ka përmendur përfshirjen e tij dhe të pandehurve të tjerë në ngjarjen ku mbeti i vrarë një punonjës policie dhe u mbajt peng dhe u torturua një tjetër. Kjo ka “ndezur gjakrat e të pandehurve”, të cilët kanë ngritur zërin duke thënë se mbi Këndezin ishte ushtruar dhunë gjatë marrjes së deklarimeve. “E keni torturuar, e keni rrahur. Turp t’ju vijë!”, thanë vëllezërit Sinani, duke iu drejtuar oficerit, ndërsa kryesuesi i seancës, gjyqtari Fran Prendi urdhëroi largimin e tyre nga salla. Ushtrimi i dhunës, gjatë marrjes së deklarimeve të Këndezit u pretendua edhe nga avokatët, ndërsa vetë dëshmitari i pandehur mohoi të jetë ushtruar dhunë gjatë pyetjes së tij në polici.
Dëshmia e oficerit Myzafer Elezi
“Në vitin 1999 kam punuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut, e cila kishte nën juridiksionin e saj edhe Sarandën. Jam angazhuar në 1999 në cilësinë e inspektorit të antiterrorit dhe në vitin 2006-2007 me cilësinë e shefit të antiterrorit. Në 1999, meqë ngjarja e Qafë-Gjashtës ishte klasifikuar si vepër që ndiqej nga antiterrori, zyra ime ka kryer veprimet procedurale për dokumentimin e kësaj ngjarjeje. Në 3 apo 4 mars 1997, në vendin e quajtur Qafa e Gjashtës, nga persona të armatosur ishte vrarë punonjësi i policisë, Gjergji Mehmeti, me detyrë komandant i repartit të rendit në komisariatin e policisë Vlorë dhe ishte rrëmbyer e mbajtur peng ish-punonjësi i policisë, Eduart Aliaj, efektiv i të njëjtit komisariat. Nga sa jam informuar kam mësuar se punonjës të përmendur më lart të policisë, Sokol Bizhga dhe Myzafer Blushi, kanë shkuar me shërbim në Sarandë, me qëllim ringritjen e komisariatit të policisë së këtij qyteti dhe vendosjen e rendit në qytet. Meqë nuk kanë mundur të kontaktojnë me asnjë prej punonjësve të policisë së komisariatit të Sarandë, pasi e kanë gjetur të braktisur janë kthyer për në Vlorë. Në vendin e quajtur Qafa e Gjashtës janë ndeshur me një grumbull njerëzish të armatosur, të cilët kanë ndaluar automjetet e policisë. Kanë qenë me dy automjete private, në fakt. Është hapur zjarr në drejtim të tyre. Për pasojë ka mbetur i plagosur dhe më pas vrarë Gjergji Mehmeti, punonjës policie dhe është kapur dhe mbajtur peng Eduard Aliaj, punonjës policie, ndërsa Sokol Bizhga dhe Myzafer Blushi kanë arritur të largohen. Në vitin 1999 me atributet e oficerit të Policisë Gjyqësore të zyrës së antiterrorit dhe me eprorin tim, Edmond Kule dhe me dy kolegë të tjerë të zyrës kemi shkuar në Sarandë për të marrë deklarimet në lidhje me ngjarjen. Kemi pyetur në praninë e shefit tim në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime, shtetasin Vladimir Këndezi, që njihej ndryshe edhe me emrin Flamur.  Ai dha shpjegimet e tij në lidhje me ngjarjen. Vladimiri kishte qenë i përfshirë në ngjarje. Tha se kishte qenë i armatosur me një automatik, bashkë me persona të tjerë, banorë të qytetit të Sarandës. Emrat më kujtohen, se janë emra të dëgjuar edhe më pas nga ana ime. Mbaj mend që më tha emrat e Vladimir Sinanit, Nestor Sinanit, Eduard Çipës, një person që thirrej Bubeqi, Ristan Labi, dy të tjerë me të njëjtin mbiemër, Agron Qurku e të tjerë. Në lidhje me deklarimet e tij është mbajtur procesverbal. Tek pyetjet personi ka qenë i kthjellët në dhënien e deklarimeve. Ka dhënë shpjegime për ato që është pyetur dhe mbi bazën e thënieve të tij është ndaluar”.

Gërdhuqi dëshmon në gjyq, ndërsa vuan dënimin për vrasje në Peqin

TIRANE – Në seancën e djeshme në ngarkim të personave të akuzuar si autorë të masakrës së Qafë-Gjashtës, ka dëshmuar dje edhe Robert Gërdhuqi. I shoqëruar nga dy efektivë policie, pasi aktualisht ai është duke vuajtur një dënim për vrasje, Gërdhuqi ka treguar dijeninë e tij mbi ngjarjen. Ai ka treguar përpara gjykatës se ditën e 4 marsit 1997 ka kaluar në Qafën e Gjashtës 1 orë e gjysmë pas ngjarjes. Sipas tij, aty kishte parë rreth 700-1000 persona, disa prej të cilëve të armatosur. “Tek lapidari te Qafa e Gjashtës kam parë gjithë Sarandën. Aty kam parë Eduard Çipën, Edmond Seikon dhe Miço Golenin. Flitej se kishte ndodhur një aksident. Pashë edhe një automjet që kishte marrë flakë. Kam marrë vesh që është vrarë një punonjës policie pa dashje”, ka pohuar ai dje. Ndërsa prokurori i çështjes i ka kërkuar gjykatës kundërshtimin e dëshmive me deklarime që kishte dhënë Gërdhuqi disa vite më parë për prokurorinë, kërkesë që u pranua nga gjykata. “Pashë shumë persona dhe një njeri të lidhur tek një pemë. Ata kishin ardhur nga Vlora dhe kishin marrë peng Fatos Mahmutajn dhe Armando Hysin. Në Qafën e Gjashtës pashë dy makina që po digjeshin. Ishte aty Eduard Çipa me automatik”, u lexua nga prokurori në deklarimet e dhëna nga dëshmitari.  ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›