E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtohen duhanpirësit, mbi 40% e shqiptarëve tymosin

Rritet numri i shqiptarëve që janë bërë “viktima” të duhanit, duke vuajtur për rrjedhojë edhe pasojat negative në shëndet. Sipas të dhënave më të fundit nga Instituti i Shëndetit Publik në Tiranë (ISHP), aktualisht mbi 40% e popullsisë shqiptare rezulton të jetë duhanpirëse. Kjo e dhënë e fundit e Institutit të Shëndetit Publik rezulton disa herë më e lartë se ajo e disa viteve më parë, duke e renditur vendin tonë pas Turqisë, si shtetin e dytë të Europës për nivel të lartë të përdorimit të duhanit. Specialisti i duhanit, Roland Shuperka, në prag të Ditës Ndërkombëtare Kundër Produkteve të Duhanit, shprehet se problem mbetet ulja e moshës të duhanpirësve dhe rritja e numrit të përdorueve nga radhët e gjinisë femërore. “Diferenca e femrave të pjesës urbane të Shqipërisë me zonën rurale ka një diferencë të madhe. Është 2.5 herë më e madhe. Ende vazhdon rritja e numrit të femrave duhanpirëse dhe vazhdon ulja e numrit të meshkujve duhanpirës. Ka një faktor, për vetë faktin se është një duhanpirje e vjetër te meshkujt, që ka shkaktuar sëmundshmëri, ka lënë pasoja në shëndet. Vazhdon, por me ritme të ulëta rritja e numrit të duhanpirjes në grupmoshën 13-15 vjeç”, - pohon Shuperka. Në vendin tonë tashmë është ngritur dhe një klinikë, ku personat e varur nga duhani mund të marrin këshilla për ta lënë atë. “Pranë Drejtorisë së Autoritetit Rajonal Shëndetësor Tiranë është ngritur një pikë që jep asistencë teknike që ndihmon gjithë qytetarët për të lënë duhanin, por ende barnat që ndihmojnë për të lënë duhanin nuk janë certifikuar dhe nuk janë vënë në dispozicion të publikut shqiptar”, - shprehet më tej Shuperka. Sipas studimit të parë demografik dhe shëndetësor në Shqipëri (DHS) 2008-2009, duhanpirja te meshkujt e moshave 15-49 vjeç është 43%. Mosha mediane e fillimit të duhanpirjes për meshkujt është përkatësisht 21.1, por mosha në të cilën meshkujt fillojnë duhanpirjen po ulet. Për shembull, mosha mediane në të cilën meshkujt kishin filluar duhanpirjen ka rënë me më shumë se 2 vjet nga 20.4 vjeç mes meshkujve në moshën 45-49 vjeç, krahasuar me 18.2 vjeç për ata në moshën 20-24 vjeç. Ndërsa te femrat e moshave 15-49 vjeç, duhanpirja është 4%. Ndërkaq, niveli i duhanpirjes për femrat është më i lartë për grupmoshën 20-24 vjeç (7 %) dhe 25-29 vjeç (10 %). Prej disa vitesh është miratuar dhe ligji kundër produkteve të duhanit, që nuk ka gjetur zbatim, për faj të moszbatimit të tij nga institucionet përkatëse. Madje, edhe në rastet kur inspektorët kanë dalë për kontrolle, për të aplikuar sistemin e gjobave në bare dhe restorante, e kanë pasur të pamundur t’i vjelin ato, pasi nuk kanë gjetur mbështetjen e pushtetit vendor, i cili është institucioni që duhet të merret me mbledhjen e tyre.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›