E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjermani refuzon dëshminë ndaj biznesmenit Tafa

Trafiku i drogës
Daniel Englret, i dënuar për trafik droge, nuk pranoi të jepte dëshminë e tij mbi përfshirjen e të akuzuarit në trafikun e drogës


TIRANË- Pas pyetjes së çiftit gjerman Franc e Rexhina Kiaçek me cilësinë e dëshmitarëve të akuzës në procesin gjyqësor ndaj biznesmenit fierak Zaim Tafa, pasditen e djeshme ka refuzuar të dëshmojë gjermani tjetër i dënuar si organizatori i këtij rrjeti të "trafikut të drogës" Daniel Englert njëkohësisht i cilësuar nga prokuroria si bashkëpunëtori kryesor i biznesmenit fierak.


Ka qenë kërkesa e prokurores Ervjola Stoja e cila ka kërkuar që i dënuari me 14 vjet burg Englert të pyetet me cilësinë e dëshmitarit në procesin gjyqësor ndaj biznesmenit fierak, por, ai ka refuzuar të dëshmojë duke u mbështetur në këtë të drejtë që ia jep ligji. Më pas, ishte po kjo prokurore e cila i kërkoi gjykatës të lexojë deklarimet e gjermanit Englert dhënë në fazën hetimore para prokurorisë.


Togat e zeza të Gjykatës së Krimeve të Rënda, të kryesuar nga gjyqtari Luan Hasneziri, pas tërheqjes për këshillim mes anëtarëve të trupit gjykues, vendosi të pranojë këtë kërkesë dhe të administrojë në dosje deklarimet e gjermanit dhënë në prokurori.


Sipas këtyre deklarimeve, Englert ka pranuar se i ka dorëzuar makinën ku u gjetën dhe sekuestruan 40 kg heroinë dy personave, që sipas akuzës, janë të pandehurit Albert Pëllumbaj dhe Zaim Tafa.


Ky i fundit, sipas prokurorisë, me makinën e çiftit gjerman është larguar nga vendi i takimit dhe ka shkuar në banesën e tij, ku pas një ore ka dalë bashkë me të pandehurin Pëllumbaj dhe që mendohet se kjo kohë i ka shërbyer për të fshehur drogën brenda makinës.


Drogë, kjo e cila më 2 maj 2009 iu sekuestrua të pandehurve Franc e Rexhina Kiaçek në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës. Avokati mbrojtës i të pandehurit Tafa nuk ka reaguar, duke e lënë në vlerësim të Gjykatës administrimin e deklarimeve të Daniel Englert dhënë në fazën hetimore, si dhe ka kundërshtuar pretendimet e prokurorisë se klienti i tij është i përfshirë në këtë rrjet të trafikut të drogës.


Vetë çifti gjerman ka akuzuar Englert se i kishte futur drogë në makinë, kundrejt pikturave që do të transportonin nga Shqipëria. Sipas tyre, ai i kishte punësuar për transport pikturash, ndërsa nga ana tjetër i fuste drogë në makinë dhe i përdorte si "korrier" nga vendet e Lindjes drejt Italisë dhe Gjermanisë.


Ndërkohë, i pandehuri Tafa, është liruar nga Gjykata e Lartë në kohën e ankimit të vendimit të masës së sigurisë vendosur nga dy shkallët e gjyqësorit me "arrest me burg".


Kjo gjykatë e ka liruar duke mos i caktuar asnjë masë sigurie, pasi ka vënë në dyshim provat e prokurorisë, prova këto me të cilat u dënuan me 49 vite burg katër të pandehurit e tjerë të cilësuar si bashkëpunëtorë të Tafës.


Të dënuar për të njëjtën dosje

Daniel Englert, 14 vite burg
Albert Pëllumbaj, me 13 vite burg
Franc Kiascek, 11 vite burg
Regina Kiascek, 11 vite burg

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›