E Shtunë, 31 Tetor 2026

"PS mund t'i rikthehet grevës, bojkotit dhe protestave"

Nënkryetari i Kuvendit, Namik Dokle paralajmëron përshkallëzimin e veprimeve të opozitës: Do luftojmë me të gjitha mjetet kushtetuese


Për herë e më shumë Partia Socialistë shikon mundësinë e rikthimit të protestave dhe të bojkotit të parlamenti. Nënkryetari i Parlamentit dhe njëkohësisht deputet i Partisë Socialiste, Namik Dokle thekson se në rast të mosgjetjes së një zgjidhjeje të shpejtë të krizës politike opozita do të përdorë të gjitha mjetet kushtetuese, pa lënë jashtë aksionit politik edhe rifillimin e grevës së urisë. Hapat e mëtejsme që PS do të ndjekë në ditët në vijim do të jetë objekt shqyrtimi edhe në forumet drejtuese të kësaj partie.


Për socialistët mazhoranca keqpërdori shansin që opozita i dha për të reflektuar lidhur me zgjidhjen e krizës poitike që ka përfshirë vendin pas zgjedhjeve të 28 qershorit.


Sipas deputetit Namik Dolke, edhe pse mazhorancës iu dhanë të gjitha shanset për të reflektuar për zgjidhjen e krizës politike, ajo reflektoi shumë pak duke gjetur shpëtim tek rezolutat e ndryshme.


Çelësi i zgjidhje së krizës, për deputetin socialist, është vetëm transparenca e zgjedhjeve të kaluara çka është edhe një kërkesë e të gjithë shqiptarëve.


"Ne do të luftojmë me të gjitha mjetet kushtetuese dhe do të luftojmë deri në fund, në parlament dhe jashtë tij, në Strasburg dhe jashtë Strasburgut, në grevë urie ose jo, në Tiranë dhe jashtë Tirane, në Bruksel dhe jashtë Brukselit",- nënvizoi anëtari i kryesisë së Partisë Socialiste.


Duke besuar tek kërkesa e tyre për hapjen e kutive të votimit si një e drejtë legjitime, socialistët paralajmëruan përshkallëzimin e veprimeve të tyre me një ashpërsi edhe më të madhe. Nënkryetari i parlamentit vlerësoi grevën e opozitës dhe theksoi se dosja me kërkesat e saj nuk është mbyllur.


"Kjo dosje është hapur shumë përpara grevës së urisë. Në grevë u shkrua një kapitull shumë i artë i luftës së opozitës për një kauzë shumë të drejtë", tha në fjalën e tij anëtari i kryesisë së PS. Ndërkohë socialistët do të vazhdojnë të kërkojnë mbështetje edhe të faktorit ndërkombëtar.


Nënkryetari i parlamentit Namik Dokle foli edhe për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit duke e cilësuar si një provokim të hapur që i bëhet opozitës në një kohë kur në parlament ishin dekretet e presidentiti të republikës."Nuk kemi kërkuar që të votohet hapur për dekretet.

Votimi i hapur është një puç përsa i përket votës së fshehtë në parlament. Dhe ky puç është marrë në një moment moralisht të dyshimtë,- theksoi zoti Dokle. Për socialistë ndryshimi që iu bë Rregullores së Kuvendit është një presion i hapur që i bëhet institucioneve të pavarura në vend duke përshirë gjykatat dhe tërë sistemin e drejtësisë në Shqipëri.


Për të marrë një vendim për qëndrimin që Partia Socialistë do të mbajë për dekretet e Presidentit, por edhe për qëndrimin ndaj parlamentit, pritet të mbahet sot një mbledhje e grupit të deputetëve.


Ndërkohë Komisini i Ligjeve do të nisë ditën e sotme seancësn e parë dëgjimore të tre kandidaturave të dekretuara nga presidenti për anëtarët e Gjykatës së Lartë. Seanca dëgjimore për tre kandidaturat është shtyrë disa herë. Deputetëve u është vënë në dispozicion dokumentacioni i plotë i kandidatëve për anëtarë të Gjykatës së Lartë.


Balla: Berisha u tregua një hipokrit i pandreqshëm duke ftuar opozitën për bashkëpunim
Tahiri: Do i rikthehemi protestave

Përshkallëzimin e veprimit politik të Partisë Socialiste e kanë shprehur edhe deputetë të tjerë të kësaj force politike. Nënkryetari i grupit parlamentar Saimir Tahiri, i pyetur për bojkotin dhe protestat tha se me rifillimin e aksionit politik për plotësimin e kërkesës për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit, të gjitha opsionet janë të hapura.


"Për sa kohë që kriza vazhdon, Partia Socialiste gëzon të gjithë të drejtën e saj për të përdorur çdo mjet demokratik, në mënyrë që çështjet e transparencës për zgjedhjet e vitit të kaluar, por dhe parandalimin e vjedhjes së zgjedhjeve në të ardhmen ta mbajnë në rend të ditës si të parë.


E duke qenë e tillë, Partia Socialiste ka të gjitha mjetet, të gjitha instrumentet dhe mund të marrë çdo vendim, qoftë në lidhje me Parlamentin, qoftë dhe për të përdorur të gjitha mjetet e tjera demokratike siç jane dhe protestat", tha Tahiri.
Edhe deputeti tjetër i PS, Taulant Balla shprehu vendosmërinë e opozitës për t'i shkuar deri në fund hetimit të zgjedhjeve.


Në rast të kundërt, sipas deputetit Balla, opozita nuk do të japë konsensusin e saj për asnjë reformë. Socialistët përsërisin apelin drejtuar kryeministrit Berisha për reflektim për kërkesat e opozitës.


"Si një Mugabe në mes të Europës, në vend që të reflektonte për qorrsokakun ku e ka futur vendin, Sali Berisha u tregua edhe një herë një hipokrit i pandreqshëm duke ftuar opozitën për bashkëpunim.


Sali Berisha duhet ta ketë të qartë se është në moralin dhe përgjegjësinë tonë para shqiptarëve, por edhe angazhim përkundrejt institucioneve evropiane, për ta çuar deri në fund kauzën e transparencës së zgjedhjeve. Në emër të këtij morali dhe të kësaj përgjegjësie ne nuk kemi nuk mund ti shtrijmë dorën e bashkëpunimit një pushteti të vjedhur", theksoi Balla.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›