Shkodër, përmbyset zetori, vdesin dy të mitur motër e vëlla

FATKEQËSIA/ Fëmijët po udhëtonin bashkë me gjyshin e tyre dhe vëllanin dhe shkonin në një festë fetare në fshatin Sheldi
SHKODËR - Janë nisur për të shkuar në një festë fetare bashkë me gjyshin e tyre, por kanë gjetur vdekjen aksidentalisht ndërsa mjeti me të cilin udhëtonin ka dalë nga rruga dhe është përmbysur.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 12:15 në fshatin Sheldi të komunës Gur i Zi në Shkodër. Kel Trushi, 62 vjeç, nga fshati Sheldi me banim në fshatin Vukatanë të komunës Gur i Zi në Shkodër, është nisur drejt fshatit Sheldi me një mjet tip "zetor" që e drejtonte vetë.
Me vete ai kishte edhe tre fëmijët e djalit, pasi do të shkonin të ndiqnin meshën e festës fetare në kishën e Sheldisë dhe pastaj do të zbrisnin në Vukatanë, në fshatin ku jetonin, për të pritur vizita për festën fetare.
Rrugës duke u ngjitur për në Sheldi, një rrugë kjo e ngushtë dhe mjaft e dëmtuar, në një terren malor, zetori i vogël ka dalë nga rruga duke rrëshqitur me njërën nga gomat dhe ka rënë në të djathtë të saj disa metra poshtë.
Drejtuesi i mjetit, 62-vjeçari Kel Trushi dhe njëri prej fëmijëve, djali 12-vjeçar, kanë mundur të dalin nga mjeti, ndërsa dy fëmijët e tjerë, motër e vëlla, Kledisa Trushi, 10 vjeçe, dhe Denis Trushi 8 vjeç, kanë mbetur nën zetor. Gjyshi i tyre ka mundur të shpëtojë vetëm 12-vjeçarin.
Një mjet që ka qenë duke lëvizur në atë aks rrugor, ka dhënë dhe ndihmën e parë dhe ka lajmëruar policinë për ndihmë, ndërsa dy të plagosurit janë dërguar në spital ku janë jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa dy të miturit, 10 dhe 8 vjeç, janë nxjerrë pa jetë nga mjeti.
Mësohet se drejtuesi i mjetit, 62-vjeçari Kel Trushi, gjyshi i viktimave ka punuar për vite të tëra si shofer, madje dhe në ndërtimin e hidrocentraleve.
Me zetorin që përdorte, ai vazhdimisht ngjitej në fshatin Sheldi ku dhe kishte banuar deri para pak vitesh, pasi atje kishte tokën. Paraditen e djeshme, bashkë me fëmijët e djalit, emigrant në Greqi, ai është nisur për të ndjekur meshën e festës fetare në Sheldi. Rrugës ai u ka blerë fëmijëve të djalit fruta e akullore.
Më pas ka ndodhur edhe aksidenti që ka qenë tragjik për këtë familje. Sipas policisë, shkak i aksidentit mendohet të jetë humbja e kontrollit të mjetit nga drejtuesi i tij, ndërsa sipas banorëve të fshatit Sheldi, Kel Trushi ka qenë shofer i vjetër dhe dalja nga rruga ka ndodhur për shkak të rrëshqitjes së njërës prej gomave në gurët e rrugës së keqe dhe faktit që ajo është e ngushtë dhe në mjaft vende nuk mund të ndërrohen dy automjete që lëvizin në drejtime të kundërta.
Lartësia e rënies nuk ka qenë e madhe, vetëm rreth 2 metra, por pjerrësia e terrenit ka bërë që mjeti të përmbyset.