E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjermani, triumfon Alonso

Fernando Alonso është fitues i Garës për Shpërblimin e Madh të Gjermanisë, në Hockenheim. Piloti spanjoll e ka mbyllur ditën perfekte të ekipit Ferrari, ndërsa pas tij është renditur shoku i skuadrës, braziliani Felipe Massa. Dy ngasësit e ‘kuq’ ishin në krye që nga fillimi i garës.

Vetëm dhjetë xhiro, (nga 13-a deri tek e 23-ta), e kanë humbur lidershipin, kur kryesonte britaniku Jenson Button (McLaren), ngase ishin ndalur në boks, për pit-stop. Më pas është ndalur Button dhe ‘Rosse’ janë rikthyer në krye. Edhe gjermani Sebastian Vettel ka provuar, por nuk ka arritur të shkojë më larg se pozita e tretë.

Massa ishte në krye për 49 xhiro, por ai është kaluar mjaft lehtë nga Alonso, gjë që bëri të diskutohej për këtë rast të dyshimtë. Spanjolli e mbajti më pas kryesimin deri në fund – në xhiron e 67-të. Qarkullojnë zëra qysh tash se mund të arrijnë sanksione, deri te marrja e pikëve të pilotëve, apo edhe diskualifikimi i ekipit.

Sidoqoftë, kjo fitore e rikthen Alonson në luftën për titull të kampionit. Tash, spanjolli ka 34 pikë më pak se kryesuesi Hamilton, i cili në Gjermani u rendit i katërti.

“Ishte një fundjavë e mirë. Sot bëmë një punë të shkëlqyeshme si skuadër dhe kjo ishte gjëja më e rëndësishme. Javët e fundit kemi punuar mirë me makinë dhe sot çdo gjë funksionoi. Me Massën shkoi mirë, kemi luftuar deri në fund dhe në xhirot e fundit vozitëm pa rrezikuar. Tejkalimi i Felipes ishte gjithçka normale”, tha Alonso.

Gara e Gjermanisë
1. Fernando Alonso 1 orë, 27 min, 38 sek, 864 të qindtat
2. Felipe Massa + 4.196
3. Sebastian Vettel + 5.121
4. Lewis Hamilton + 26.896
5. Jenson Button + 29.482

Klasifikimi i pilotëve
1. Lewis Hamilton 157 pikë
2. Jenson Button 143
3. Mark Webber 136
4. Sebastian Vettel 136
5. Fernando Alonso 123

Klasifikimi i konstruktorëve
1. McLaren 300 pikë
2. Red Bull 272
3. Ferrari 208
4. Mercedes 132
5. Renault 96

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›