Menaxheri i Dinjos: E ardhmja e tij është në duart e Zotit
Gjatë ditës së parë të grumbullimit, presidenti Berluskoni ka bërë elozhe të shumta për “kampionin më të madh të të gjitha kohërave”, Ronaldinjon, duke theksuar më pas se thjesht prezenca e tij në fushë në fakt e justifikon çmimin e biletës. Më pas ai e ka blinduar “përjetësisht” në klubin kuqezi. Vetëm tri ditë më pas, i vëllai-menaxher De Asis, i intervistuar nga “Sky Sport 24”, bëri të ditur se e ardhmja e brazilianit varet nga vullneti i Zotit. Nëse rinovimi nuk është çështje në diskutim (dhe nuk ka mundësi të jetë, kur kujtojmë fjalët e numrit një të kuqezinjve), duket e qartë që menaxheri tashmë po bën lojën e të fortit, duke lënë të hapur gjithçka, pasi një sjellje e tillë do të mund të ndikonte në përmirësimin e detajeve të rinovimit të kontratës së të vëllait. Rroga aktuale e Ronaldinjos arrin shifrën 8 milionë euro në sezon: propozimi për rinovimin e kësaj rroge pritet të jetë me dy shifra, ndryshe Zoti (Paraja) do të kthehet të trokasë në portën e “Gauchos”, i veshur me kostumin e drejtuesve të Los Anxhelos Galaksit. Fjalët e përhapura në këtë mënyrë kërkojnë, që të bindin Berluskonin të mendohet mirë për përcaktimin e rrogës së ardhshme të Ronaldinjos. Por gjithsesi duket se situata financiare e shefit të Milanit nuk është dhe aq e mirë.
#