Gjermania cakton bonuset për Euro 2012

Futbollistët e Kombëtares gjermane të futbollit do të marrin nga 18 mijë euro për ndeshje në fushatën kualifikuese për Euro 2012, nëse sigurojnë pjesëmarrjen në garën në Ukrainë dhe Poloni. Bonusi është rritje prej 3000 eurosh për ndeshje, për dallim me kualifikimet për Euro 2008, ka njoftuar Federata gjermane e Futbollit (DFB) të hënën.
Bonusi për Euro 2012 do të jetë me vlerë prej 180 mijë eurosh për secilin futbollist, i cili ftohet nga selektori Joachim Loew, për 10 ndeshjet kualifikuese të Gjermanisë. Kualifikimi për në Kampionatin botëror 2010 ishte i vlefshëm 20 mijë euro për secilin futbollist për çdo ndeshje.
Gjashtë futbollistë morën bonusin maksimal prej 200 mijë eurosh për kualifikim në Kampionatin botëror 2010 – Bastian Schweinsteiger, Philipp Lahm, Mario Gomez, Piotr Trochowski, Heiko Westermann dhe Thomas Hitzlsperger. Gjermania kryeson në Grupin A për kualifikim në Euro 2012 me maksimum prej 12 pikëve nga katër ndeshje dhe përcillet nga Austria (7 pikë), Turqia (6).