Beckham kërkon huazim

David Beckham ka konfirmuar se synon të huazohet te ndonjë klub evropian në janar dhe të mundohet të kthehet në Kombëtaren e Anglisë. Mesfushori veteran nuk ka luajtur për Anglinë prej kur pësoi një lëndim në thembër në mars, që e mbajti atë jashtë Kampionatit botëror.
Më pas, selektori Fabio Capello tha se karriera ndërkombëtare e Beckhamit ka marrë fund. Por, 35 vjeçari ka bërë rikthim të suksesshëm për Los Angeles Galaxy dhe dëshiron të luajë përsëri në Evropë, para vazhdimit të sezonit në Major League Soccer në mars. Mirëpo, Beckham konfirmoi se nuk do të kthehet në Milan, ku në formë huazimi kaloi dy dimrat e kaluar.
“Nuk do të kthehem në Milan kësaj radhe, sepse nuk është e mundshme të depërtoj në ekip brenda një periudhe aq të shkurtër kohore. Por, do të shkoj diku tjetër sepse dua të ruaj formën e mirë fizike dhe të kem shanse të ftohem përsëri për Anglinë. Për ta bërë këtë duhet të luaj diku, andaj shpresoj që kjo të rregullohet”, deklaroi Beckham për Sky Sports.