E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mourinho kërkon ndihmë

Jose Mourinho kërkon asistencë nga Real Madridi ndaj gjyqtarëve që, sipas tij, janë duke gabuar rëndë në dëm të ekipit të tij. Trajneri portugez reagoi pas përjashtimit të Ricardo Carvalhos në fitoren e mundimshme 1-0 ndaj Sevillas të dielën. Me gjithë raportet e mira me drejtuesit e klubit, Mourinho thotë se ata kanë mendime të kundërta. Nga Express më 21 dhjetor 2010 në ora 09:27

Jose Mourinho ka kërkuar që Real Madridi t’i ndihmojë atij përballë gjyqtarëve, pas fitores së mundimshme të ekipit të tij në shtëpi 1-0 ndaj Sevillas, edhe pse kishte mbrojtësin Ricardo Carvalho të përjashtuar në fillim të pjesës së dytë. “Ishin 13 gabime të rënda nga gjyqtari”, tha Mourinho derisa tregonte një copë letre ku kishte shkruar të gjitha ato raste.

“Nuk ndihem nën presion kur bëj atë që më pëlqen ta bëj, më pëlqen të kryej punën e trajnerit. Por, jam lodhur nga kjo. Ekipi im ka nevojë për t’u mbrojtur. Nëse e them atë çfarë mendoj, nesër do të jem në të gjitha ballinat dhe do të suspendohem. Është një klub dhe një strukturë dhe dua që ata të mbrojnë ekipin”, shtoi ai. Mourinho theksoi se krerët e klubit duhet të marrin me seriozitet ankesën e tij në mënyrë që ai të mos dënohet. Ai po ashtu tha se dëshiron të ketë një takim privat me presidentin Florentino Perez.

“Kam marrëdhënie të mira personale me klubin, edhe pse ne mendojmë ndryshe”, shtoi ai. Portugezi tashmë ka shërbyer suspendimin për dy ndeshje pas përjashtimit në Copa del Rey, ku ishte ankuar ndaj gjyqtarit, ndërsa mori një tjetër dënim në Ligën e Kampionëve. Ai ishte gjobitur dhe suspenduar pas akuzave se kishte urdhëruar ndëshkim të qëllimshëm me karton të dytë të verdhë të dy prej futbollistëve të tij, Sergio Ramos dhe Xabi Alonso, në ndeshjen e tyre të Ligës së Kampionëve kundër Ajaxit muajin e kaluar.

Ndërsa Carvalho u përjashtua me kartonin e dytë të verdhë kundër Sevillas pas 63 minutave loje, kur u përplas me sulmuesin Alvaro Negredo, derisa të dy kishin kërcyer për top. Pavarësisht disavantazhit numerik, Angel di Maria shënoi golin e fitores për Realin, që i siguroi të mbetet dy pikë prapa Barcelonës në pushimin dimëror. “Ndeshja ishte për t’u harruar. Ishte shumë e keqe. Nuk do të paguaja asgjë për ta shikuar”, përfundoi Mourinho.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›