Hoxhaj: Nuk do pranojmë ndarjen e Kosovës

“Djegia e pikës kufitare në Jarinje nga strukturat paralele serbe nuk duhet të shihet vetëm nga perspektiva e pikës kufitare, por të shihet si një ndërhyrje e shtetit serb brenda territorit të Kosovës si shkelje e sovranitetit dhe është pjesë e një agjende, e cila është promovuar nga presidenti Tadiç”, ka thënë në një intervistë për Kosovapress ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj.
Ai ka theksuar se në takimin e zhvilluar me shefin e OKB-së, përpjekja e tij, ka qenë që zhvillimet e fundit të interpretohen nga një perspektivë më e gjerë.
“Unë kam bërë përpjekje që ta informoj për pozicionin tonë dhe kuptohet që në takimet e tilla nuk reflektohet se për çka ka biseduar ai me të tjerët dhe më së paku të tjerët kanë të drejtë që të flasin në emër të Republikës së Kosovës. Qëndrimi im ka qenë që përderisa Prishtina nuk synon që ta kontrollojë jetën e dikujt në Beograd, atëherë edhe Beogradi duhet të ndërpresë përpjekjen e tij që ta kontrollojnë jetën brenda Kosovës”, shprehet Hoxhaj.
Ministri i Jashtëm i Kosovës ndër të tjera thekson se nuk do të pranohet asnjë ndërhyrje e agresionit serb, brenda territorit të Kosovës. “Nuk do të pranojmë asnjëherë, në asnjë formë që dikush ta ndajë një pjesë të territorit të Republikës së Kosovës që është pjesë e një shteti sovran dhe të pavarur e të njohur nga 77 shtete”, vijon ai.
Po ashtu ministri Hoxhaj shprehet se qytetarët e Kosovës duhet t`u besojnë institucioneve të vendit.