Gjermania e ngrit në qiell Schalken

Schalke ka shënuar fitore historike ndaj Interit në Itali me rezultat 5:2 të martën mbrëma. Për këtë triumf madhështor, mediat gjermane e kanë ngritur në qiell Schalken, e cila nuk ka kurrfarë historie në futbollin evropian.
Magazina ‘Bild’ shkruan se fitorja e Schalkes është e paharrueshme. “Gjenialë”, “Të mëdhenj”, “Gjigantë”. Këta ishin disa nga titujt e tjerë të mediave gjermane kushtuar skuadrës së vetme të këtij shteti që mbetet në kompeticionin më të rëndësishëm evropian të klubeve këtë sezon.
‘Bild’ gjithashtu shkruan se Schalke praktikisht është kualifikuar në gjysmëfinale falë trajnerit Ralf Rangnick, i cili e ka ‘shkruar historinë’.
Trajneri i Schalkes, përpos në fushë, ka marrë lëvdata edhe në internet. Të martën mbrëma në harkun e 90 minutave të ndeshjes, rreth 10 mijë tifozë i kanë postuar komente në faqen e tij në rrjetin social Facebook.
Të martën e tërë Gjermania ishte në festë. Sepse Schalke iu hakmor Interit për eliminimin e klubit tjetër gjerman Bayern Munchen në të tetën e finales, por edhe për fitoren ndaj bavarezëve në finale të Ligës së Kampionëve sezonin që shkoi.