I lidhur me Novaran
Rijat Shala nuk e ka ndërmend të largohet nga Novara, edhe pse në këmbët e tij ka një minutazh mjaft të vogël te ky klub.
Mediat italiane gjatë janarit shkruanin për një largim të mundshëm të mesfushorit kosovar nga klubi italian, por kjo nuk i shkoi fare ndërmend futbollistit me pasaportë zvicerane. Madje, 27 vjeçari shpreson që edhe në të ardhmen të jetë pjesë e skuadrës nga Serie B italiane.
“Për një vit e gjysmë mendoj se kam demonstruar diçka në këtë klub. Shpresoj që të kem mundësi të tjera. Gjithashtu shpresoj që të konfirmohem te Novara edhe sezonin e ardhshëm. Uroj që të më jepet një mundësi për ta parë edhe një herë kualitetin tim”, theksoi prizrenasi në një intervistë për ueb faqen oknovara.it.
Ai ndien dashuri të thellë për Novarën, edhe pse e pranon se në dimër kishte oferta të tjera. “Kam ndryshuar plot skuadra, por mendoj se më mirë se në Novara në këtë moment nuk mund të jetë në asnjë ekip tjetër. Nuk është e lehtë ta lësh një skuadër të tillë”, shtoi ai.
Shala shpreson që në ndeshjet e mbetura të kampionatit të merret parasysh më shumë nga trajneri. Edhe pse ka luajtur shumë pak në pjesën e dytë të sezonit, ai thotë se është një tip që nuk dorëzohet lehtë dhe se lufton gjithmonë për ta kërkuar atë që e meriton.
Novara aktualisht gjendet në pozitën e tretë në Serie B. Ky vend çon drejt play-offit për t’u inkuadruar në Serie A, por futbollisti kosovar është i bindur se ekipi i tij mund ta kalojë Sienën, e cila është e dyta, për ta nxjerrë një biletë direkte për elitën e futbollit italian.
“Jemi në pozitën e tretë në tabelë, po luftojmë për Serie A. Kemi një grup të shkëlqyeshëm të futbollistëve, një klub që gjithmonë të qëndron afër. Mungojnë edhe disa ndeshje dhe e kemi lojën direkte me Sienën. Në të kaluarën kanë ndodhur gjëra të jashtëzakonshme, pse të mos ndodhë edhe këtë vit?” përfundoi Rijat Shala, i cili në Novara luan së bashku me portierin kosovar Samir Ujkani.
Vjet Novara bëri sensacion, duke u kthyer në Serie B pas një periudhe të gjatë. Por, këtij klubi i janë rritur apetitet, pasi synon kulmin në Itali – Serinë A. Aktualisht Novara është e treta në Serie A me 58 pikë, kurse Siena e dyta me 8 më shumë.