Rikthehet në kohë rekorde
Valon Behrami i ka befasuar të gjithë. Mesfushori kosovar është kthyer të mërkurën në stërvitje, pas lëndimit që e pësoi 10 ditë më parë, kur po luante për përfaqësuesen e Zvicrës në kualifikimet për Euro 2012.
Pas lëndimit të tij në gju parashihej se ai do të mungonte tri javë, por 25 vjeçari është përmirësuar më shpejt se që pritej, kështu që ai mund të zbresë në fushë qysh këtë vikend, dy javë pas lëndimit. Nëse kjo nuk ndodh të dielën, atëherë përfaqësuesi zviceran do të kthehej sigurt fundjavën e ardhshme.
“Sot jam kthyer në fushë dhe do të mundohem të rikuperohem për ndeshjen e së dielës ndaj Milanit. Kam ende dhimbje, por po përmirësohem dita-ditës. Nuk do të jetë e lehtë, por dëshiroj të kthehem sa më shpejt që është e mundshme. Nëse jo me Milanin, me Juventusin do të jem sigurisht”, theksoi Behrami për ueb faqen violanews.com
Ish futbollisti i West Hamit ndihet i lumtur për entuziazmin dhe përkrahjen që po merr nga njerëzit në Firenze. Ai beson në pozitën e shtatë, edhe pse klubi Viola humbi pikë të cilat nuk është dashur t’i lëshonte.
“Fiorentina po luan mirë, mëkat për pikët që i kemi lënë në rrugë. Kjo ka ndodhur në Cesena, por edhe ndaj Barit dhe Sampdorias. Në ndeshje me Milanin e Juventusin do ta kuptojmë se kush jemi”, vazhdoi Behrami i cili shton se në Fiorentinë e ka gjetur rehatinë dhe se po e shijon futbollin.