Kujdes në lojën e kthimit!

Jose Mourinho s’ka se si të mos jetë i kënaqur me rezultatin dhe me lojën që shfaqën djelmoshat e tij në fitoren e Realit të Madridit me rezultat 4-0 ndaj Tottenhamit, në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Mirëpo, trajneri portugez kërkon kujdes nga madrilenët në ndeshjen e kthimit, e cila do të zhvillohet pas një jave në Londër.
“Reali nuk është ende në gjysmëfinale. Herën e fundit që ka luajtur në çerekfinale ka fituar me 4 gola, por nuk është kualifikuar. E njoh mentalitetin e skuadrave angleze. Për to gjithçka është e mundshme. Ne kemi respekt të madh dhe do të jemi mjaft të kujdesshëm, sepse Tottenham është një skuadër e shkëlqyeshme, me kualitete të larta”, tha ish trajneri i Portos, i Chelseas e i Interit.
Ndërkohë, ‘Mou’ dha fjalë pozitive edhe për Leite Kakan, i cili u kthye me një asistim për golin e katërt, të cilin e realizoi Cristiano Ronaldo. “Jam mjaft i kënaqur me rikthimin e Kakas, por edhe të Higuain. Shpresoj që në ndeshjen e kthimit të mund ta kem në dispozicion edhe Benzeman”, tha në fund portugezi.