E Shtunë, 31 Tetor 2026

Interi i lodhur

Inter pësoi dy humbje vendimtare për rrjedhën e sezonit, ndaj Milanit dhe Schalkes, brenda tri ditësh. Trajneri Leonardo mendon se Nerazzurrëve u janë harxhuar bateritë, pas angazhimeve të shumta të këtij sezoni, sidomos nga janari e këtej. Braziliani është skeptik për një kthesë në Gjermani, por kërkon nga lojtarët e tij të reagojnë që nga ndeshja e së shtunës ndaj Chievos. Nga Express më 07 prill 2011 në ora 11:15

Inter i ka humbur dy prej ndeshjeve vendimtare të sezonit brenda tri ditësh. Nerazzurrët fillimisht të shtunën u mposhtën nga Milani 3:0, kurse tri ditë më pas u turpëruan në shtëpi të tyre, duke u mposhtur 5:2 nga Schalke, në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve.

Trajneri Leonardo ndihet i zhgënjyer me momentin negativ të ekipit të tij. Ai mendon se Interi është lodhur, pas angazhimeve të shumta që pati ky ekip. Përpos kalendarit të ngjeshur, sidomos nga janari e deri tash, ku në disa raste përpos fundjavës luajtën edhe në mesjavë, Nerazzurrët morën pjesë edhe në Botërorin për klube.

Kjo ka bërë që këtij ekipi t’i harxhohen bateritë. “Interi më nuk ka energji. Jemi duke e paguar orarin e ngjeshur që nisi nga janari. Problemi është te kondicioni”, deklaroi trajneri brazilian. - “Ishte një javë e vështirë për ne, në të gjitha aspektet”, shtoi ai.

‘Leo’ e ka analizuar ndeshjen me Schalken, për të cilën thotë se mbeti i habitur me ngathtësinë e lojtarëve të tij pas një starti të shkëlqyer.

“Ndeshja filloi në mënyrën më të mirë të mundshme. Ishte e vështirë ta imagjinoje se mund të kishte një fund të tillë pas nismës tonë. Në pjesën e dytë e lëshuam një rast të sigurt, e më pas Schalke e shënoi golin e tretë. Ata kishin 6-7 gjuajtje në portë dhe shënuan 5 gola. U ndëshkuam në maksimum. Pas rezultatit 2-4 ishte e vështirë të ktheheshim, pasi ishim me një lojtar më pak. Mungoi ekuilibri”, shpjegon ai.

Në ndeshjen e kthimit, e cila zhvillohet pas një jave, Interit i duhet një fitore prej 4:0. Për një gjë të tillë skeptik duket edhe vetë trajneri brazilian. “Nuk është reale që të mendojmë për përmbysje të rezultatit në Gjermani”, thotë ai.

Ndërkohë, Leonardo kërkon nga lojtarët e tij që të reagojnë që nga ndeshja e ardhshme me Chievon, e cila do të zhvillohet të shtunën. Inter ka 5 pikë më pak se kryesuesi Milan në Serie A, por Nerazzurrët nuk janë dorëzuar ende për mbrojtjen e titullit.

Presidenti Massimo Moratti ka pasur një takim me trajnerin Leonardo pas ndeshjes. Kreu i klubit italian beson ende në trajnerin brazilian, i cili do ta udhëheqë Interin së paku deri në verë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›