Ministri Basha, takim pune me Koordinatorin Special të Paktit të Stabilitetit, z. Busek

Në vijim të takimeve që z. Erhard Busek, Koordinatori Special i Paktit të Stabilitetit, po zhvillon me personalitete shqiptare, sot në datën 1 tetor 2007, ai pati një takim pune me Ministrin e Punëve të Jashtme z. Lulzim Basha.
Në fillim të takimit, të dy bashkëbiseduesit diskutuan lidhur me punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB në Nju Jork dhe u fokusuan tek çështja e statusit të Kosovës. Ata shprehën shqetësimin për ngurtësim të qëndrimeve nga pala serbe, e reflektuar edhe gjatë mbajtjes së një konference rajonale për energjinë zhvilluar ditët e fundit në Athinë ku ministri serb braktisi sallën në shenjë proteste për praninë e delegacionit kosovar.
Ata shprehën mendimin se në të ardhmen, i duhet kërkuar mbështetje sa më e fortë të gjithë delegacioneve pjesëmarrëse, lidhur me praninë e delegacionit kosovar në këto forume rajonale.
Bashkëbiseduesit ishin të mendimit se procesi i statusit të Kosovës është tashmë në rrugën e tij drejt zgjidhjes finale dhe se vonesat po konsiderohen të padobishme dhe të rrezikshme.
Ministri Lulzim Basha i shprehu z. Erhard Busek vlerësimet e tij për misionin e realizuar nga ana e Paktit të Stabilitetit në drejtim të forcimit të bashkëpunimit në rajon në fusha me interes të përbashkët.
Gjithashtu, z. Lulzim Basha e informoi z. Busek lidhur me përgatitjet që po bëhen nga Ministria e Punëve të Jashtme për realizimin me sukses të Tryezave të Punës së Paktit të Stabilitetit që do të mbahen në Tiranë në datat 3 dhe 4 dhjetor 2007.
Z. Busek nga ana e tij, informoi Ministrin lidhur me zhvillimet e kohëve të fundit për hapjen e Sekretariatit të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal me seli në Sarajevë si dhe takimin inaugurues që do të organizohet me këtë rast në datën 10 tetor.