E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret Komisionerin për Arsimin, Trajnimin, Kulturën, Sportin dhe Rininë, në Komisionin Europian, zotin Jan Figel

Kryeministri Berisha priti sot në një takim të veçantë Komisionerin për Arsimin, Trajnimin, Kulturën dhe Rininë, në Komisionin Europian, zotin Jan Figel.

Kryeministri Berisha e njohu Komisionerin Figel me reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare dhe rezultatet e arritur në të gjitha fushat, në veçanti rezultatet shumë të rëndësishme përsa i përket zbatimit të  Marrëveshjes së Ndërmjetme (Ad Interim) të  MSA-së, luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, zhvillimit të turizmit, tërheqjes së investimeve të huaja në vend, etj.

Në këtë kuadër, Kryeministri vlerësoi shumë të rëndësishme marrëveshjen e sapo nënshkruar me BE-në për liberalizimin e vizave dhe e njohu komisionerin Figel me masat e marra nga qeveria shqiptare për realizimin sa më shpejtë të projekteve për Kartat e Identitetit, pasaportat dixhitale dhe regjistrin civil kombëtar.

Kryeministri u ndal veçanërisht në sektorin e arsimit, duke e theksuar atë si një nga prioritetet më parësore të qeverisë. Në këtë kontekst, Kryeministri i bëri me dije komisionerit europian se gjatë këtyre dy viteve qeveria

- ka dyfishuar buxhetin për arsimin, ka rritur investimet për universitetet me 4 herë, ka rritur investimet për kërkimin shkencor me 4 herë, ka eliminuar fenomenin e korrupsionit në administrimin e testeve për hyrjen në universitete.
- Gjithashtu, qeveria synon që Shqipëria, nga vendi me përqindjen më të ulët të studentëve për dendësi popullsie në vitin 2005, të arrijë nivelet e vendeve europiane në vitin 2009. si dhe po punohet me përparësi edhe për zhvillimin e arsimit profesional.

Kryeministri Berisha, duke falënderuar komisionerin Figel për përkrahjen dhe mbështetjen e vazhdueshme që Komisioni Europian i ka dhënë Shqipërisë  në fushën e arsimit, kërkoi mbështetjen e KE-së për projekte të përbashkëta për ruajtjen dhe zhvillimin e trashëgimisë kulturore.

Komisioneri për Arsimin, Trajnimin, Kulturën, Sportin dhe Rininë në Komisionin Europian, zoti Jan Figel, falënderoi kryeministrin për mikpritjen dhe shprehu vlerësimin për progresin që ka bërë Shqipëria në këto vite. Ai vlerësoi shumë përparësinë që qeveria i ka dhënë sektorit të arsimit në Shqipëri dhe u shpreh se do të vazhdojë mbështetja e KE-së në këtë fushë jashtëzakonisht të rëndësishme për përgatitjen e gjeneratave të reja.

Komisoneri Figel theksoi se një nga vlerat më të rëndësishme të Bashkimit Europian është diversiteti i pasurisë kulturore të këtyre vendeve. Për këtë arsye, KE do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë për sa i përket ruajtjes dhe zhvillimit të trashëgimisë kulturore, tha zoti Figel.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›