E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjermania këtë javë me qeveri të re?

Kryesuesit e partisë konservatore të kancelares së Gjermanisë, Angela Merkel dhe ata të partisë liberale pro-biznesit, FDP, theksuan se marrëveshja për krijimin e qeverisë së re të qendrës së djathtë me gjasë do të arrihet gjatë kësaj jave.

Çështjet e hapura dhe të vështira, përfshirë këtu edhe nivelin e reduktimit të tatimeve dhe mënyrën e financimit të këtij procesi, mbetën ende të pazgjidhura, por dy palët kanë arritur pajtimin për një varg çështjesh tjera, siç janë politikat për rregullimin e tregjeve financiare dhe politikat për trajtimin e aspiratave të Turqisë për anëtarësim në BE.

Blloku konservator në Gjermani, i përbërë nga CDU-ja e Merkelit dhe nga partia e saj simotër, CSU, po tentojnë që së bashku me FDP-në të hartojnë agjendën për qeverisje gjatë katër viteve të ardhshme, pasi që së bashku kanë fituar vota të mjaftueshme për formimin e qeverisë, në zgjedhjet që u zhvilluan më 27 shtator.

Sekretari i përgjithshëm i CSU-së, Alexander Dobrindt, theksoi se pas negociatave gjashtëorëshe, të cilat janë zhvilluar gjatë fundjavës, është zgjeruar hapësira për konsensus ndërmjet dy palëve. Nga këndvështrimi ynë, ne mund të themi se çdo gjë do të zgjidhet gjatë kësaj jave, tha Dobrindt para gazetarëve.

Udhëheqësit e partive, përfshirë këtu edhe Merkelin, vazhduan negociatat edhe gjatë ditës së sotme, në të cilat u diskutua për çështjet më të vështira.

Marrëveshja përfundimtare, në të cilën do të përfshihet edhe çështja e ndjeshme e ndarjes së ministrive, pritet të arrihet në fund të javës.

Çështja e reduktimit të tatimeve mbetet çështja më e vështirë në këto negociata. Që të dy palët angazhohen për reduktim të tatimeve, por ende nuk janë pajtuar për atë se sa duhet të jetë ky reduktim. Negociatat gjatë 24 orëve të kaluara janë përqendruar në propozimin për reduktimin në vlerë prej 20 miliardë euro, por mbetet e paqartë se si do të financohet ky proces, pasi që ekonomia më e madhe në Europë po përballet me deficit në buxhet.

Njëri prej politikanëve kryesor të CDU-së, Juergen Ruettgers, theksoi se negociatat duhet të përqendrohen në atë se si të reduktohen shpenzimet.

Ekipi punues, i cili po harton politikat ekonomike, theksoi se dy palët duhet të arrijnë pajtimin për të reduktuar shpenzimet e burokracisë, gjë që do të ndihmonte bizneset e vogla dhe të mesme.

Partitë janë duke debatuar gjithashtu edhe për fondin për shëndetësi, i cila ka nevojë për një injeksion prej 7.5 miliardë euro. Koalicioni i ri do ta ruaj këtë fond, shfuqizimin e të cilit FDP-ja e kishte kërkuar fillimisht, por se ne të do të bëhen ndryshime të mëdha, deklaroi zyrtarja e CDU-së, Ursula Von Der Leyen.

(Reuters)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›