E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjermania, “polemika”për këndimin e himnit

BERLIN- Këndimi i himnit gjerman nga futbollistët e kombëtares duket se është kthyer në një temë shqetësuese në Gjermani. Shumë nga lojtarët e kombëtares gjermane janë me kombësi tjetër dhe disa prej tyre nuk duan ta këndojnë vargjet e poezisë “Gjermania mbi të gjitha”. “Në momentin që luhet himni unë zakonisht jam i fokusuar te ndeshja, - thotë mesfushori Mesut Ozil, që është me origjinë turke. – Unë lutem në ato çaste, për vete dhe për shokët e skuadrës”, shton ai. Ozil është i lindur në Gelsekirshen, nga një familje që ka 3 breza që jeton në Gjermani, por edhe ai, ashtu si shumë futbollistë të tjerë nuk e sheh të nevojshme të këndojë himnin para fillimit të takimeve. Në kombëtaren gjermane ka edhe shumë lojtarë si Zherom Boateng me origjinë ganeze, Sami Khedira me origjinë tuniziane, Denis Aogo me prejardhje nigeriane, Kakau nga Brazili, si edhe sulmuesit Klose e Podolski, që janë me origjinë polake. Por, pavarësisht origjinës, Franc Bekenbauer deklaron ashpër: Të gjithë duhet ta këndojnë himnin. Ky ka qenë një zakon i hershëm dhe është shumë e rëndësishme për një vend si Gjermania. Unë e kam kënduar si futbollist dhe si trajner”. Por, Ozil e mendon ndryshe: “Për mua himni kombëtar një gjë shumë emocionale dhe që më bën krenar, por lojtarët duhet ta vendosin vetë nëse duan ta këndojnë apo jo”, thotë mesfushori i Verder Bremen. Trajneri Joakim Lëv nuk ka dashur të përzihet shumë në këtë çështje. “Ne do të synojmë që himnin ta këndojnë sa më shumë futbollistë. Por, ne nuk mund t’i detyrojmë ata të këndojnë”, ka thënë tekniku gjerman. Por, ka nga ata lojtarë që gjejnë frymëzim te himni. “Mbushem me frymëzim sa herë këndoj himnin tonë, jam shumë krenar që jam gjerman”, - thotë Bastian Shvajnstajger. Këndimi i himnit është një traditë e rëndësishme në Gjermani. Kur luan kombëtarja, vargjet e poezisë “Gjermania mbi të gjitha” këndohen në kor nga të gjithë tifozët gjermanë të pranishëm në stadium.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›