Samiti i Sarajevës, Fule dhe Moratinos: Rekomandimi për vizat është pozitiv, ngërci i takon klasës politike

Në konferencën për shtyp pas Takimit të Nivelit të Lartë në Sarajevë për integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian, Ministri i Jashtëm i Spanjës, Miguel Anhel Morantinos dhe Komisioneri për Zgjerim Stafan Fule konfirmuan se shumë shpejt Shqipëria e Bosnje Hercegovina do të udhëtojnë pa viza. Ministri i Jashtëm i Spanjës, Miguel Anhel Morantinos tha se në Ballkanin Perëndimor ka pasur zhvillime pozitive. “Por ne duhet të ecim edhe më shumë përpara. Ne duhet të kemi angazhim për gjithë rajonin dhe përgjegjësi për të gjitha palët. BE do punojë për të avancuar për procesin e negocimin. Duhet angazhim nga Ballkani Perëndimor për të zbatuar reformat që kushtëzojnë hyrjen në BE. Dhe angazhimi i tretë ka të bëjë me faktorin ndërkombëtar që duhet të na mbështesë për rimëkëmbjen e Ballkanit Perëndimor”, tha ai. Sipas Morantinos, duhet bashkëpunim rajonal. Komisioneri për Zgjerim Stafan Fule deklaroi se shpresonte që politika shqiptare të gjejë një zgjidhje para se vendimi për heqjen e vizave për shqiptarët të merret në konsideratë nga PE. “Shpresoj që liderët politikë në Shqipëri të gjejnë një zgjidhje për krizën politike dhe kjo shpesojmë të arrihet para se të merret në konsideratë vendimi nga PE dhe Këshilli”, tha ai. Lidhur me ndikimin që do kishe moszgjidhja e krizës për vizat, Fule tha se “nuk do përgjigjem në emër të organizmave të tjerë. Unë konfirmoj se Komisoni Europian dha një rekomandim pozitiv”, vuri në dukje ai. Komisioneri për zgjerim theksoi se nuk ka vend për frikë të zgjerimit të BE. Sipas Fules, BE ka treguar kushtet nga njëra anë dhe nga ana tjetër ka krijuar mbështetje për të ecur para drejt BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor. “Në takim u fol edhe për Shqipërinë dhe Maqedoninë. Po ashtu edhe Turqinë sepse aplikimi i saj pret prej muajsh. Po ashtu edhe Bosnje-Hercegovina e Kosova mos të lihen mënjanë në këtë proces”- deklaroi ndër të tjera ai.
Sarajevë
Ka përfunduar takimi ministror Bashkimi Evropian-Ballkani Perëndimor, që është mbajtur me nismën e Spanjës, vend që kryeson BE-në.
Në deklaratën presidenciale të miratuar pas mbylljes së takimit thuhet se “Bashkimi Evropian sërish dhe pa asnjë dilemë është i përkushtuar për perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, që mbetet kusht kyç për stabilitetin dhe zhvillimin e këtij rajoni”.
është përshëndetur synimi i BE-së për të zgjeruar procesin e liberalizimit të regjimit të vizave për të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor, kur për një gjë të tillë të jenë përmbushur kushtet.
Rrjedhimisht, është përshëndetur vendimi i Komisionit Evropian për regjimin pa viza për qytetarët e Shqipërisë dhe Bosnjës.
Bashkimi Evropian ka verifikuar nevojën e kushteve të drejta dhe rigoroze në kuadër të procesit të stabilizimit dhe asociimit dhe në harmoni me konsensusin e ripërtërirë për zgjerimin, që ishte miratuar në dhjetor të vitit 2006.
“Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet t’i intensifikojnë përpjekjet e tyre për përmbushjen e kritereve dhe kushteve në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Përparimi i çdo vendi do të varet nga meritat e secilit prej tyre”, thuhet në deklaratën e miratuar të samitit.
Në këtë takim kanë marrë pjesë 48 delegacione – ministra të punëve të jashtme dhe zyrtarë të lartë të BE-së, të vendeve të Ballkanit Perëndimor, SHBA-ve, Rusisë, Turqisë dhe organizatave ndërkombëtare.
Të pranishëm ishin edhe zyrtarja e lartë e BE-së, Kethrin Eshton, Shtefan Fyle dhe ministrat e jashtëm të Italisë, Franko Fratini, dhe të Spanjës, Miguel Angel Moratinos.