Zëvendësi i Leos te Milani? Berluskoni
Nëse, dhe siç duket, Leonardo nuk do të jetë më trajneri i Milanit pas këtij sezoni, në listën e gjatë të alternativave është shtuar një “kandidat” surprizë: Silvio Berluskoni. Në fakt, padroni i klubit kuqezi është futur nga bastexhinjtë anglezë të “Stanleybet”: për Kryeministrin italian kuota është 25.00. Sugjestionuese edhe sepse është e njëjtë për dy “ishët” e mëdhenj si Paolo Maldini dhe holandezi Frenk Rajkard... Ta marrim më seriozisht, bastexhinjtë e ishullit të madh nuk e shikojnë të pamundur zgjedhjen e drejtuesve të rrugës “Turati” për t’ia besuar drejtimin e Milan Filipo Galit dhe Mauro Tasotit, të kuotuar të dy së bashku 4.00. Kërkesat e ekzagjeruara ekonomike të Marko Van Basten, duket se janë pengesa kryesore për një mbërritje të mundshme në Milano të holandezit (6.50), edhe pse kjo do të ishte një ëndërr për pjesën më të madhe të tifozerisë kuqezi dhe të vetë Berluskonit. Të kuotuar janë edhe Maksimiliano Alegri (10.00), Luçiano Spaleti (12.00), Gus Hidink (14.00). Por favoriti është Leonardo, qëndrimi i të cilit kuotohet me 2.10. Më në fund për Milanin ka lajme të mira në këtë fundsezoni. Aleksandro Nesta, i operuar në mars pas dëmtimit në menisk dhe në tendinë, është rikthyer të stërvitet me grupin. Ndërkohë që mësohet se Ronaldinjo mundet të shpresojë ende për të luajtur në botëror me Brazilin.
#