E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjermania, mbështetje për liberalizimin e vizave



Presidenti i Republikës Bamir Topi mbylli vizitën zyrtare dyditore në Gjermani, nga ku mori mbështetje nga homologu i tij gjerman Këler për liberalizimin e regjimit të vizave. Në njoftimin zyrtar të Presidencës thuhet se Presidenti gjerman pranoi ftesën për të vizituar Shqipërinë. "Kreu i shtetit shqiptar diskutoi për marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve, për mbështetjen e pandërprerë të Gjermanisë në rrugëtimin integrues të Shqipërisë në strukturat evropiane si dhe për liberalizimin e regjimit të vizave, për mundësitë e thellimit dhe zgjerimit të këtyre marrëdhënieve në fusha të ndryshme", thuhet në njoftimin zyrtar. Pjesë e vizitës së Presidentit në Gjermani ishte edhe nxitja e investimeve gjermane në vendin tonë. "Gjatë fjalës së tij përshëndetëse, Presidenti Topi vuri në dukje ndryshimet rrënjësore që ka pësuar vendi ynë gjatë këtyre dy dekadave duke u shndërruar në njërin prej vendeve më tërheqëse për investitorët e huaj, me ekonomi të qëndrueshme, sidomos me lehtësitë fiskale dhe legjislative, me sigurinë e institucioneve si dhe fushat e ndryshme të ekonomisë e industrisë ku mund të zgjerohen e të thellohen më tej marrëdhëniet ekonomiko-tregtare me investitorë seriozë siç janë ata gjermanë", thotë njoftimi. Gjatë kësaj Presidenti shoqërohej nga një delegacion i përbërë nga Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, krerë institucionesh deputetë e këshilltarë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›