Sheshi, Monumentet: Bashkia s’ka leje
Erald Kapri
"Ndërhyrja e Bashkisë së Tiranës në sheshin "Skënderbej" është e paligjshme". Me këtë deklaratë kreu i Institutit të Monumenteve të Kulturës, Valter Shtylla, hodhi poshtë pretendimin e bashkisë se ka marrë leje për zbatimin e projekteve. "Vendimi i Këshillit Kombëtar të Restaurimeve për t'i dhënë leje bashkisë për të zbatuar projekt-idenë fituese të sheshit, ka qenë me disa kushte, të cilat bashkia nuk i ka respektuar. Me shkresën e fundit i kemi kërkuar kësaj të fundit që të na sillte projektin pas vërejtjeve të bëra nga ne, por në fakt nuk ka ardhur asnjë reagim", u shpreh Valter Shtylla, drejtor i IMK-së. Kushtet konsistonin në ndryshimin e disa pikave të projektit të paraqitur. Kërkesa kryesore ishte anulimi i ndërtimit të dy kullave, që sipas planit, do të vendosen midis bulevardit "Zogu I" dhe Muzeut Kombëtar. Po kështu, të mos ndërtohej ndërtesa mes Muzeut Kombëtar dhe Bankës së Shqipërisë, si dhe pjerrtësia e sheshit të mos e kalojë 1%. Nga Bashkia e Tiranës nuk ka pasur asnjë reflektim për këto kushte si dhe asnjë përgjigje zyrtare.
Letërkëmbimi zyrtar
Pak orë pas deklaratave të drejtorit të Institutit të Monumenteve të Kulturës për mediat, u bë publik edhe letërkëmbimi institucional mes bashkisë dhe IMK-së. Drejtori i Trashëgimisë Kulturore, Ols Lafe, duke e cilësuar sërish ndërhyrjen e bashkisë si të jashtëligjshme, bëri një kronologji të shkëmbimit të dokumentacionit teknik mes bashkisë dhe IMK-së. Sipas tij, bashkia ka bërë kërkesë për shqyrtimin e projekt-idesë më datë 23.5.2008. Më pas IMK-ja në nëntor të 2008-ës dha përgjigjen me kushtet që duhet të zbatonte ky institucion, në mënyrë që të jepej leja për vënien në zbatim të projektit. Më 27 prill të 2009-ës, bashkia dërgon një tjetër shkresë pranë Këshillit Kombëtar të Restaurimit, ku i kërkon njohjen e vendimit me kushte. "IMK i është përgjigjur bashkisë, duke dërguar një kopje të këtij vendimi me kushtet përkatëse dhe duke kërkuar tri kopje të projektit me ndryshimet e reflektuara, në mënyrë që më pas të firmoste projektin, duke e bërë atë të ligjshëm. Por nuk u mor përgjigje", tha Lafe.
Akuzat për sheshin
Ndonëse nuk kanë reshtur sulmet e Qeverisë për shkeljet e Bashkisë së Tiranës me punimet në shesh, nga kjo e fundit këto ditë nuk ka asnjë reagim. Vetëm dy ditë më parë këshilltari i Kryeministrit për çështjet e territorit, Flamur Kuçi, deklaroi se punimet do të pezullohen, nëse Bashkia e Tiranës nuk nxjerr lejet që i duhen sipas ligjit. Sipas tij, në mungese të tyre, ligji parashikon që Inspektorati të ndërhyjë, duke e konsideruar ndërtim pa leje. Veç kësaj të fundit, nga Instituti i Monumenteve të Kulturës, Qeveria pretendon se, Bashkia e Tiranës nuk ka marrë leje mjedisore për ndërtimin në sheshin "Skënderbej". Për këtë mangësi u gjobit me 2 milionë lekë nga Ministria e Mjedisit dhe ju kërkua pezullimi i punimeve. Më herët ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, akuzoi bashkinë se ka bërë ndryshime rrënjësore në projektin paraprak dhe për to nuk ka marrë miratimin e KRRTRSH-së.