E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjermania me mbrojtje si Shqiperia

Barazimi 4-4 i Gjermanisë përballë Suedisë, vazhdon të diskutohet. Rezultati ka qenë zhgënjyes për shumë arsye. Kjo pavarësisht faktit se përballë ishte një kundërshtar si Suedia e Zlatan Ibrahimovic. Tashmë të gjithë besojnë se Gjermania është një miks spanjollo-shqiptar. Me fjalë të tjera, skuadër spektakolare e që shënon dhe një mbrojtje e pavëmendshme që pëson gola të evitueshëm.

“Panzerat” e kishin praktikisht në dorë fitoren, pasi kryesonin me rezultatin e pastër 4-0 kur kronometri tregonte 60 minuta lojë. Por, më pas, ndodhi ajo që askush nuk e besonte. Suedezët nisën një përmbysje të jashtëzakonshme dhe me bashkëpunimin e gjermanëve, që shfaqën shenja vetëkënaqësie dhe lëshuan në lojën e tyre, në harkun e 30 minutave barazuan shifrat.

Ajo që ndodhi vendosi në bankën e të akuzuarve Kombëtaren gjermane dhe trajnerin Joachim Löë. “60 minutat perfekte” që shoqëruan fitoren tenistike 6-1 në fushën e Republikës së Irlandës u shndërruan në një dramë.

Suedia barazoi rezultatin në 4-4, duke i dhënë fund serisë me 13 fitore radhazi të Gjermanisë në ndeshjet kualifikuese. Tashmë, që gjithçka është analizuar me detaje, mediat gjermane kanë nxjerrë edhe përfundimet: skuadra e Loeë është spektakolare në fazën ofensive.

Kontroll i topit, sulme të rrezikshme dhe gola. Një skuadër që për nga potenciali ofensiv mund të krahasohet pa frikë me Spanjën. Ky është qëndrimi i gazetës së Mynihut, “Abendzeitung”. E njëjta e përditshme theksonte se skuadra lë për të dëshiruar në fazën mbrojtjes, duke cituar se “sulmit brilant i shtohet mbrojtja shumë e dobët dhe që bën gafa të evitueshme”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›