E Diel, 1 Nëntor 2026

Filologjiku, miratohen doktoraturat e Historisë dhe Gjeografisë



Jonida Tashi

Miratohen doktoraturat e Historisë dhe Gjeografisë për Fakultetin Filologjik në kryeqytetet. Një vit pas paraqitjes së propozimeve nga drejtuesit e këtij Fakulteti, Këshilli i Ministrave ka përcaktuar dje kuotat dhe tarifat për programet e miratuara. Ndërkaq, pas marrjes së këtij vendimi, të shumëpritur jo vetëm nga kandidatët që duan të vazhdojnë këto studime, por edhe nga drejtuesit e Filologjikut, tashmë ky Fakultet do të hapë shkollën doktorale, që deri dje ishte bllokuar për shkak të mosmiratimit të doktoraturave të Historisë dhe Gjeografisë.
Kuotat dhe tarifat
Në total, qeveria ka miratuar 120 kuota pranimi për dy doktoraturat e sapomiratuara, pjesa më e madhe e të cilave do t’i përkasin Historisë. Duke qenë se studimet e doktoraturës në Histori do të ndiqen në katër drejtime, kurse për Gjeografinë vetëm në një, janë miratuar më shumë kuota pranimi për të parën. Kështu, për doktoraturat e Historisë janë caktuar 90 kuota pranimi, të ndara sipas drejtimeve të veçanta, kurse për gjeografinë 30 të tilla. Ndërkaq, sipas vendimit të qeverisë, nga kuota e përcaktuar për këto programe studimi, 10% e tyre do të caktohet për studentët nga trojet shqiptare jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë dhe do të administrohet nga Ministria e Arsimit, sipas kërkesave të institucioneve zyrtare të këtyre trojeve. Kurse kuotat e paplotësuara do të rishpërndahen nga Ministria e Arsimit. Tarifa e shkollimit për studimet e doktoratës është 200 mijë lekë për çdo program studimi dhe likuidohet për çdo vit të kohëzgjatjes normale, në këste të caktuara nga Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë, i Universitetit të Tiranës.
Programet e studimit
Studimet e ciklit të tretë, të doktoratës, në Histori, do të ndiqen në katër drejtime, që janë: Histori, në përfundim të së cilës lëshohet diploma për gradën shkencore “Doktor (Dr.) në Histori”; Arkeologji, në përfundim të së cilës lëshohet diploma për gradën shkencore “Doktor (Dr.) në Histori, me drejtim Arkeologji”; Marrëdhënie Ndërkombëtare, në përfundim të së cilës lëshohet diploma për gradën shkencore “Doktor (Dr.) në Histori, me drejtim Marrëdhënie Ndërkombëtare”; Trashëgimi Kulturore, në përfundim të së cilës lëshohet diploma për gradën shkencore “Doktor (Dr.) në Histori, me drejtim Trashëgimi Kulturore”. Kurse për Gjeografinë doktorata do të ofrohet vetëm një drejtim, Gjeografi, në përfundim të këtij programi studimesh lëshohet diploma për gradën shkencore “Doktor (Dr.) në Gjeografi”. Këto programe studimi do ta fillojnë veprimtarinë mësimore në vitin akademik 2009–2010. Kohëzgjatja e studimeve të doktoratës është të paktën 3 (tre) vite akademike, ku përfshihen edhe 60 kredite për studime të organizuara. pak kohë më parë, qeveria ka miratuar edhe dy doktoratura të tjera për Filologjikun, “Kërkime Gjuhësore”, dhe “Studime Letrare”, kuotat e të cilave përkatësisht janë, 60 për të parën dhe 15 për të dytën.

Kuotat e pranimit
Histori 30 kuota
Arkeologji 15 kuota
Marrëdhënie Ndërkombëtare 30 kuota
Trashëgimi Kulturore 15 kuota
Gjeografi 30

Dokumentet e aplikimit për doktoraturat e Filologjikut
Procedurat e aplikimit për studimet e doktoraturës pranë Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë në Universitetin e Tiranës janë hapur që në fillim të vitit 2010. Për t’u ardhur në ndihmë të interesuarve që duan të aplikojnë për këto studime, Universiteti i Tiranës publikon edhe dokumentet që duhet të përmbajë dosja e aplikimit.
Dosja duhet të përmbajë:
Curriculum vitae
Kopje e noterizuar e Diplomës së Nivelit të Dytë (DND), ose të Diplomës së Integruar të Nivelit të Dytë (DIND), ose diplomës sipas sistemit të vjetër apo titullit akademik të barasvlershëm të fituar jashtë vendit dhe të njohur nga organet kompetente
Kopje e noterizuar e diplomës SHPU, Master i Nivelit të Dytë (MND), e shoqëruar me listën e notave
Certifikatë lindje me fotografi
Vërtetim i qendrës së banimit
Dy rekomandime (nga një profesor, profesor i asociuar ose docent)
Dëshmi dhe vërtetime provimesh pasuniversitare si gjuhë e huaj etj.
Deklaratë e gatishmërisë së udhëheqësit shkencor për të udhëhequr kandidatin
Deklaratë vetjake e studentit për përballimin e shpenzimeve të programit të studimeve të Doktoratës
Vërtetim i dekanatit për pranimin e dokumentacionit për aplikim
Platforma e disertacionit (punimit)
Plani i punës në vite

29 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›