E Diel, 1 Nëntor 2026

Masterat, qeveria miraton ndryshimet në Ligjin e Arsimit të Lartë



Jonida Tashi

Miratohen ndryshimet e propozuara nga Ministria e Arsimit, për Ligjin e Arsimit të Lartë. Ditën e djeshme, këto propozime kanë marrë firmën e kreut të qeverisë, Sali Berisha, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, ku kryeministri ka folur gjatë për arsimin. Duke u ndalur në projektligjin mbi “Disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë”, kryeministri Berisha, theksoi se ndryshimet në këtë ligj janë domosdoshmëri për stadin në të cilin ndodhet sot arsimi. Sipas kreut të qeverisë, përcaktimet e reja ligjore synojnë kristalizimin e disa elementëve thelbësore të reformës së arsimit të lartë, siç është kristalizimi përfundimtar i sistemit “Bachelor”. Më tej, kryeministri shpjegoi se sistemi i masterit do t’u japë studentëve një shans të dytë, mbi bazën e meritës, për të studiuar në degën e dëshiruar.
Projektligji
Projektligji i ri që Ministria e Arsimit ka përgatitur për organizimin e studimeve pasuniversitare në universitetet publike të vendit përcakton një sërë ndryshimesh. Sipas draftit të kësaj Ministrie, studimet pasuniversitare do të pësojnë një sërë ndryshimesh, dhe për pasojë në universitete nuk do të ofrohen më mastera të nivelit të parë dhe të dytë, diploma të nivelit të dytë apo diploma të integruara të nivelit të dytë. Këto programe studimi, me përjashtim të Masterit të Nivelit të Dytë, që do të hiqet nga studimet e ciklit të tretë, do të shkrihen në programe të tjera studimi, që do të cilësohen Master i shkencës dhe Master i profesionit. Ndërkaq, sipas projektligjit të ri, pjesë e ndryshimeve do të jenë edhe studimet e ciklit të parë, përsa i përket diplomës që do të lëshohet nga universitetet në përfundim të studimeve. Kështu, sipas projektligjit të ri, të hartuar nga MASH-i, në përfundim të programeve të studimeve të ciklit të parë do të lëshohet diplomë universitare “Bachelor” në fushën e arsimimit të kryer. Ndërsa sipas ligjit në fuqi “Për Arsimin e Lartë”, në përfundim të programeve të studimeve të ciklit të parë lëshohet Diplomë e Nivelit të Parë (DNP) në fushën e arsimimit të kryer. Megjithëse drafti i ri për ndryshimet në arsimin e lartë u dërgua universiteteve për mendim, para miratimit, pasi një pjesë e drejtuesve të fakulteteve nuk ishin dakord me të gjitha ndryshimet, për vetë faktin se në të nuk përcaktohet asgjë për studentët që i kanë përfunduar studimet me ciklin 4-vjeçar, dhe duan të vijojnë studimet pasuniversitare, deri tani nuk dihet asnjë detaj se çfarë do të ndodh me këtë kategori të diplomuarish.
Ndryshimet
Ndryshimi i skemës së studimeve pasuniversitare zë fill që nga studimet e ciklit të dytë, ku përfshihen Master i Nivelit të Parë (MND) dhe Diploma e Nivelit të Dytë (DND), që bazuar në ligjin e ri nuk do të kenë më këto emërtime, por do të shndërrohen në një program të përafërt studimi. Më konkretisht, duke filluar që nga viti akademik 2010-2011, Masteri i Nivelit të Parë (MND) do të shndërrohet në emërtimin thjesht Master, kurse Diploma e Nivelit të Dytë do të quhet diplomë universitare “Master i shkencave” në fushën e arsimit të kryer. Po ashtu, edhe Diploma e Integruar e Nivelit të Dytë (DIND) do të shndërrohet në diplomë “Master i shkencave”. Më tej, në projektligjin e MASH-it, kalohet në transformimin e Masterit të Nivelit të Parë në emërtimin thjesht Master. Lidhur me riorganizimin e këtyre studimeve në ligjin e ri thuhet se programet e studimeve “Master” u ofrojnë të diplomuarve, me një diplomë universitare së paku “Bachelor”, arsimim dhe trajnim të mirëfilltë profesional. Por, nëse programet e ciklit të dytë do të riorganizohen sipas mënyrës së mësipërme, për studimet e ciklit të tretë, ku përveç Doktoraturës përfshihet edhe Masteri i Nivelit të Dytë, një program studimi jo pak i preferuar nga kandidatët që i kanë përfunduar studimet e larta me sistemin 4-vjeçar, nuk do të jetë kështu. Sipas projektligjit të ri të MASH-it, nuk do të ketë më mastera të nivelit të dytë dhe e vetmja mundësi për studentët e sistemit të vjetër që duan të vazhdojnë studimet pasuniversitare është që t’i futen rrugës së Bolonjës, pavarësisht se e kanë mbaruar fakultetin me sistemin tradicional të arsimit të lartë që ka qenë më së shumti 4-vjeçar. Kështu, në studimet e ciklit të tretë, Ministria e Arsimit ka përfshirë vetëm ato të Doktoraturës, të cilat, sipas ligjit të ri, janë programe të studimeve të ciklit të tretë, me karakter plotësisht akademik, që kanë në bazë kërkim shkencor dhe veprimtari krijuese.

Projektligji i ri
1. Programet e studimeve në institucionet e arsimit të lartë organizohen në tre cikle të njëpasnjëshme: cikli i parë, cikli i dytë dhe cikli i tretë.
1.1 Studimet e ciklit të parë:
a) programet e studimeve të ciklit të parë synojnë të japin njohuri bazë mbi metoda e parime shkencore të përgjithshme dhe aftësi specifike në një varietet të gjerë profesionesh e specialitetesh;
b) programet e studimeve të ciklit të parë realizohen me 180 kredite dhe zgjatja normale e tyre është tre vite;
c) në përfundim të programeve të studimeve të ciklit të parë lëshohet diplomë universitare “Bachelor” në fushën e arsimimit të kryer.
1.2. Studimet e ciklit të dytë:
1.2.1. Programet e studimeve të ciklit të dytë:
a) programet e studimeve të ciklit të dytë japin të diplomuarve që zotërojnë diplomën universitare “Bachelor”, njohuri të thelluara, teorike dhe praktike, si dhe trajnim për kërkim shkencor në një fushë brenda një specialiteti.
b) programet e studimeve të ciklit të dytë realizohen me 120 kredite dhe zgjatja normale e tyre është dy vite.
c) në përfundim të programeve të studimeve të ciklit të dytë lëshohet diplomë universitare “Master i shkencave” në fushën e arsimimit të kryer.
1.2.2. Programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë:
a) institucionet e arsimit të lartë në fushat e mjekësisë, veterinarisë dhe arkitekturës ofrojnë programe të integruara të studimeve të ciklit të parë dhe të dytë së bashku;
b) programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë realizohen me jo më pak se 300 kredite dhe zgjatja normale e tyre është jo më pak se pesë vite;
c) në përfundim të programeve të studimeve lëshohet diplomë universitare “Master i shkencave” në fushën e arsimimit të kryer;
1.2.3. Programet e studimeve “Master”:
a) programet e studimeve “Master” u ofrojnë të diplomuarve, me një diplomë universitare së paku “Bachelor”, arsimim dhe trajnim të mirëfilltë profesional.
b) programet e studimeve “Master” realizohen me se paku me 60 kredite dhe kohëzgjatja normale e tyre është se paku 1 vit;
c) në përfundim të këtyre programeve të studimeve jepet diploma universitare “Master” në fushën e arsimimit dhe trajnimit profesional të kryer.
d) IAL kanë të drejtë të pranojnë kandidatë që kanë fituar diplomë “Master” në studimet e ciklit të dytë për diplomën universitare “Master i shkencave” dhe të vendosin kritere për njohjen/transferimin e krediteve të vlefshme të fituara në studimet e masterit që i përgjigjen programit të studimeve të ciklit të dytë.
1.3. Studimet e ciklit të tretë:
1.3.1. Programet e studimeve të doktoratës:
a) programet e studimeve të doktoratës janë programe të studimeve të ciklit të tretë, me karakter plotësisht akademik, që kanë në bazë kërkim shkencor dhe veprimtari krijuese;
b) në studimet e doktoratës pranohen kandidatë që kanë fituar diplomë universitare “Master i shkencave”.
c) këto programe të studimeve zgjasin të paktën 3 vite dhe përfshijnë 40 deri ne 60 kredite për studime të organizuara teorike.
ç) në përfundim të ciklit të tretë lëshohet diploma për gradën shkencore “Doktor” (Dr).
1.3.2. Programet e studimeve specializuese afatgjata:
a) programet e studimeve specializuese afatgjata janë programe të studimeve të ciklit të tretë, profesionalisht të orientuara, që ofrojnë njohuri për profesione specifike në fushat e mjekësisë, stomatologjisë, veterinarisë dhe drejtësisë. Këto programe të studimeve përfshijnë studime teorike të kombinuara me aplikime praktike dhe trajnime profesionale. Mund të përfshihen në to dhe veprimtari kërkimore, nëse nevojitet;
b) në përfundim të programeve të studimeve specializuese afatgjata lëshohet diplomë universitare specializimi në fushat e mjekësisë, veterinarisë dhe magjistraturës;
c) për kryerjen e programeve të studimeve specializuese afatgjata, studenti duhet të grumbullojë 120-240 kredite dhe zgjatja normale e këtyre programeve të studimeve është 2-4 vite.
1.3.3. Në fushën e mjekësisë, programet e studimeve të doktoratës mund të ofrohen të integruara me studimet specializuese afatgjata, sipas planit dhe programit mësimor të miratuar nga fakulteti dhe universiteti përkatës, pasi është marrë miratimi i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. 2. Institucionet e arsimit të lartë ofrojnë programe të studimeve të ciklit të dytë dhe të ciklit të tretë vetëm në ato fusha, ku ato përmbushin kriteret dhe standardet shtetërore, në përputhje me këtë ligj.

3. Programet e studimeve të ciklit të parë, të ciklit të dytë dhe të ciklit të tretë janë programe të studimeve universitare.
4. Institucionet e arsimit të lartë kanë të drejtë të ofrojnë edhe programe të studimeve profesionale, pas arsimit të mesëm, jouniversitare, me jo më pak se 120 kredite. Zgjatja normale e këtyre programeve është jo më pak se 2 vite akademike dhe në përfundim të tyre lëshohet diplomë profesionale “Diplomë profesionale në .....”. Një pjesë e krediteve të studimeve pas arsimit të mesëm mund të transferohen në studimet e ciklit të parë, në përputhje me kriteret që vendosin IAL.
5. Në statutet e institucioneve të arsimit të lartë përcaktohen hollësi të tjera të programeve të studimeve.

29 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›