Studentët që diplomohen këtë vit dhe që do të japin provim shteti
Studentët që do të përfundojnë këtë vit studimet e larta dhe që diplomohen në degët e përfshira si profesione të rregulluara me ligj, do t’i nënshtrohen provimit të shtetit, për të ushtruar profesionin e tyre. Më konkretisht bëhet fjalë për studentët që do të diplomohen në degët: Mjekësi, Stomatologji, Farmaci, Infermieri, Mami, Fizioterapi, Veterineri, Arkitekturë, Inxhinieri, ose në ndonjë program tjetër studimi që njihet si profesion i rregulluar me ligje të veçanta. Këta studentë, pas mbarimit të fakultetit dhe marrjes së diplomës në xhep, do të duhet që përveç praktikës profesionale, të kryejnë dhe Provimin e Shtetit. Kalimi i këtij provimi do t’u japë studentëve të drejtën që të regjistrohen në një Urdhër Profesional (UP). Vetëm në këtë moment, ata kanë drejtën që të ushtrojnë profesionin e tyre. Në bazë të ligjit nr.10171 datë 22.10.09 “Për Profesionet e Rregulluara”, neni 7, personi që kërkon të ushtrojë një profesion të rregulluar, duhet të ketë përfunduar programin përkatës të akredituar të studimit dhe/ose kualifikime profesionale në atë profesion, të cilat vërtetohen me dokumente zyrtare, të lëshuara brenda ose jashtë vendit, dhe të njohura në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Praktika profesionale
Praktika profesionale synon përvetësimin efektiv të njohurive teknike, praktike dhe etike të profesionit, mënyrat e së cilës përcaktohen nga autoriteti kompetent, me propozimin e Urdhrit Profesional (UP) përkatës. Praktika profesionale zhvillohet nën drejtimin e një profesionisti, person fizik apo juridik. UP-ja përkatëse, nëpërmjet strukturave të veta, siguron që praktika të kryhet nën drejtimin e një profesionisti, i cili e ushtron profesionin prej jo më pak se tre vjetësh dhe jep garanci të mjaftueshme për përgatitjen teoriko-praktike të praktikantit. Gjatë zhvillimit të praktikës profesionale, praktikantit i jepet një pagesë prej jo më pak se 50 (pesëdhjetë) për qind të rrogës bazë. Pagesa apo shpërblimi vlerësues bëhet nga profesionisti, i cili drejton praktikën profesionale. Përjashtohet nga detyrimi për kryerjen e praktikës profesionale çdo individ, i cili provon se, për një periudhë të caktuar dhe në përputhje me kriteret specifike të një profesioni të rregulluar, ka qenë i angazhuar në një veprimtari profesionale, brenda ose jashtë vendit, që i ka dhënë mundësi të përvetësojë një përvojë profesionale të mjaftueshme në fushën e këtij profesioni. Autoriteti kompetent, në bashkëpunim me UP-në përkatëse, përcakton kriteret, që përdoren për të vlerësuar nëse përvoja profesionale e kandidatit është e mjaftueshme për ta përjashtuar nga detyrimi për kryerjen e praktikës profesionale, përmes një vendimi përfundimtar.
Provimi i Shtetit
Provimi i Shtetit, sipas ligjit “Për Profesionet e Rregulluara”, realizon garancitë publike për përgjegjësitë, që sjell ushtrimi i një profesioni të rregulluar. Ky provim kryen testimin e njohurive të kandidatit, që aspiron ushtrimin e një profesioni të rregulluar, duke siguruar uniformitet në vlerësimin e kandidatëve, në nivel kombëtar, përmes verifikimit të aftësive të nevojshme profesionale, sipas specifikave të çdo profesioni. Përmbajtja e Provimit të Shtetit hartohet në përputhje me fushën e veprimtarisë profesionale. Pas përfundimit me sukses të Provimit të Shtetit, kandidatit i jepet titulli profesional përkatës. Përjashtohet nga detyrimi për të dhënë Provimin e Shtetit: profesionisti që, në çastin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, ushtron ose ka ushtruar një profesion të rregulluar; profesionisti, i cili fiton të drejtën e ushtrimit të një profesioni të rregulluar jashtë Republikës së Shqipërisë, në përputhje me përcaktimet e Këshillit të Ministrave. Provimi i Shtetit për çdo profesion të rregulluar organizohet dhe zhvillohet nga ministria që mbulon fushën e arsimit, në bashkëpunim me autoritetin kompetent përkatës.
Kriteret për ushtrimin e një profesioni të rregulluar
Për të fituar të drejtën e ushtrimit të një profesioni të rregulluar, çdo kandidat duhet:
Të kryejë praktikën profesionale
Të kryejë Provimin e Shtetit
Të regjistrohet në urdhrin profesional përkatës
Profesionet e rregulluara
Profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë janë profesioni i:
Mjekut
Stomatologut
Farmacistit
Infermierit
Mamisë
Fizioterapistit
Veterinerit
Arkitektit
Inxhinierit
Profesione të rregulluara janë edhe profesionet e përcaktuara si të tilla me ligje të tjera, të veçanta.
29 Prill 2010