Gjermania në votime, pas një fushate të vakët
Gjermanët do të votojnë sot ata që do t‘i qeverisin për 4 vitet e ardhshme, në një votë me përfundim thuajse të përcaktuar dhe pas një fushate ndër më të vakëtat e viteve të pas Luftës së Dytë Botërore. Pritshmëria është që Kancelarja aktuale, Merkel, të rizgjidhet në këtë post edhe për një tjetër mandat, pas një fitoreje të Partisë së saj Kristian Demokrate. Megjithatë, përbërja që do të ketë qeveria e ardhshme nuk është aspak e përcaktuar, madje konsiderohet si një rebus paszgjedhor. Kancelarja gjermane njihet për aftësinë e saj si një politikane, por edhe për stilin e mërzitshëm me të cilin e drejtoi këtë fushatë të fundit zgjedhore. Ajo është shumë popullore te bashkëkombësit, të cilët preferojnë që politikanët e tyre të jenë të thjeshtë dhe jo të fryrë e pompozë. Dhe Merkel i mishëron më së miri këto cilësi. Një sondazh i fundit tregoi se 49% e gjermanëve ishin të gatshëm që ta mbështesnin sërish Merkel edhe për 4 vite të tjera në krye të vendit. Por, pavarësisht popullaritetit personal, është e paqartë se si do të mund të arrihet një koalicion paszgjedhor me CDU-në, e cila nuk pritet që të marrë një fitore, që do t‘i shmangte koalicionet. Partneri më i mundshëm në formimin e qeverisë janë liberalët (FDP). Një lidhje e tillë është më e mundshme se sa vetë ribërja e koalicionit të gjerë me kundërshtarët socialdemokratë, me të cilët ndanë pushtetin këta 4 vjet. Megjithatë, një variant i tillë nuk është për t‘u përjashtuar tërësisht, madje, sipas disa analistëve, Merkel vetë nuk do të ishte kundër që gjërat të vazhdonin të funksiononin si edhe më parë, pra me të njëjtin formacion. Merkel vetë ka një lidhje shumë të ngushtë me ministrin e Financave, që është socialdemokrat, por edhe me ministrin e saj të Jashtëm, që ishte edhe kundërshtari kryesor i saj në zgjedhje. Në dukje ky formacion i deritanishëm u pa si një formacion i ekuilibruar dhe i qëndrueshëm dhe si koalicioni që arriti ta nxjerrë Gjermaninë nga kthetrat e krizës financiare. Dhe jo vetëm kaq, por deri më tani papunësia në Gjermani është në shifra të qëndrueshme dhe kjo falë sistemit të promovuar nga qeveria që punëson njerëz me paga më të ulëta dhe pagat e tyre jepen nga qeveria. Këto arritje kanë bërë që njerëzit të jenë më të qartë sot në kutitë e votimit dhe më të sigurt për ardhmërinë e tyre.