Maqedonasit dhurojnë gjak vullnetarisht
Një grup vullnetarësh nga Maqedonia kanë dhuruar gjak në qytetin e Korçës. Të paktën 50 persona të ardhur nga shteti fqinj kanë ndërmarrë këtë nismë humanitare në ndihmë të bankës së gjakut dhe njerëzve në nevojë në Qarkun e Korçës. Kanë qenë banorë të Komunës së Çairit nga Shkupi, që nëpërmjet organizatës së Kryqit të Kuq maqedonas, janë organizuar për këtë proces. Dhurimi vullnetar i gjakut është kryer në ambientet e spitalit civil dhe pranë degës së Kryqit të Kuq në Korçë. Ekipi maqedonas është shprehur se krahas aspektit turistik në qytetin juglindor kanë preferuar të jenë vullnetarë për t‘u shërbyer nevojave të komunitetit të zonës për gjak dhe spitalit. Sipas drejtuesve, kjo nismë synon të vendosë më tej edhe bashkëpunimin në sektorin e shëndetësisë mes dy vendeve, si dhe për të sensibilizuar komunitetin vendas për ndërmarrjen e iniciativave të tilla në ndihmë të të sëmurëve.
Ju.Dh.
Ju.Dh.