E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zyrtarizohet struktura,do krijohet Kupa e Ligës



Kategoria Superiore për sezonin 2011- 2012 do të jetë me 14 skuadra dhe vetëm dy faza. Ajo që ishte përfolur prej kohësh u zyrtarizua pikërisht dje nga Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së. Në mbledhjen e zhvilluar në një ditë me ndeshjen e Kombëtares shqiptare, organi më i lartë i federatës miratoi propozimin e komisionit të Kategorisë Superiore, të përbërë nga anëtarët e 12 klubeve. Risia në vendimet e marra në këtë mbledhje ishte padyshim edhe dhënia e "ok" për krijimin e një kompeticioni të ri në sezonin e ardhshëm. Duke qenë se kampionati do të luhet me dy faza dhe në këtë mënyrë reduktohet numri i ndeshjeve, kjo do të kompensohet me kompeticionin që mund të cilësohet Kupa e Ligës.
Vendimi
Vullneti i klubeve për të bërë Superioren me 14 skuadra ka marrë bekimin e plotë të Komitetit Ekzekutiv. Burime të "Panorama Sport" konfirmojnë se asnjë prej anëtarëve nuk ka votuar kundër këtij propozimi. Por, sa skuadra do të bien nga Superiorja dhe sa do të ngjiten nga e Para? Në këtë pikë, diskutimi mësohet se ka zgjatur disi. Klubet kishin propozuar që të dilte vetëm një skuadër dhe vendi i 13-të në renditje të bënte një ndeshje "play-off"-i. Mirëpo, kjo nuk u miratua nga KE-ja. Ajo vendosi në mënyrë unanime që nga Kategoria Superiore të zbresin automatikisht këtë sezon 2 skuadrat që pozicionohen në vendet 11 dhe 12. Ndërkohë, vendet 9 dhe 10 do të bëjnë ndeshje "play-off" me skuadrat që pozicionohen në 5 dhe 6 në renditjen përfundimtare të Kategorisë së Parë. Nga kjo e fundit do të futen direkt në Superiore vendi i parë, i dytë, i tretë dhe i katërt. Në këtë mënyrë, Ekzekutivi mendoi se mund të ketë garë të hapur në Superiore deri në fund. Propozimi i klubeve për skuadrat që zbresin u kundërshtua menjëherë, pasi anëtarët e KE-së e cilësuan si të palogjikshëm. Nëse ndodhte që të miratohej vetëm zbritja e një skuadre nga Superiorja për këtë sezon, atëherë gara për fundin e tabelës nuk do të ishte e vërtetë. Të paktën, kështu u arsyetua nga KE-ja. Tashmë, struktura për sezonin 2011-2012 merr formë dhe klubet janë të qarta për të ardhmen.
Kompeticioni
Me një kampionat vetëm me dy faza do të luhen 26 ndeshje, pra 7 më pak se struktura me 12 skuadra. Gjithsesi, edhe për këtë fakt është menduar, në mënyrë që sezoni të jetë i plotë dhe të luhen aq takime sa janë zhvilluar në të kaluarën. Dje Komiteti Ekzekutiv hodhi idenë e krijimit të një kompeticioni të ri. Mendohet se do të quhet Kupa e Ligës, por nuk përjashtohet mundësia që emri i kompeticionit të ri të ketë emërtesën Kupa e Federatës. Megjithatë, kjo do të rishikohet në muajt e ardhshëm, edhe pse e rëndësishme është që kjo ide u miratua në parim. Në fakt, edhe në vitet e kaluara është folur shpesh në institucionin e futbollit, se do të krijohet një kompeticion i ri, përveç aktivitetit të kampionatit dhe Kupës së Shqipërisë. Tashmë, nisur edhe nga kampionati me dy faza për sezonin 2011-2011 dhe ngushtimi i ndeshjeve, është momenti që klubet e Superiores ta gjejnë veten edhe në një tjetër kompeticion. Në vendet e Evropës, si në Angli apo Spanjë, praktikohen kompeticione të tjera, përveç atyre të traditës. Kështu në Angli është Kupa e Ligës, ndërsa në Spanjë Kupa e Mbretit. E FSHF ka menduar ta huazojë diçka të tillë, në një kohë që për detajet e funksionimit të këtij kompeticioni të ri është herët për të folur. Institucioni i futbollit ka hedhur vetëm hapin e parë, ashtu siç është bërë edhe me klubet e Superiores, që po punojnë për ndërtimin e Ligës Profesioniste.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›