Task Forcë për gjetjen e eshtrave në komunizëm
Javën e ardhshme, grupi i posaçëm miratohet në Këshillin e Ministrave
Në javën e ardhshme do të ngrihet edhe Task Forca e premtuar nga Kryeministri Berisha për kërkimin e eshtrave të të pushkatuarve dhe të vrarëve përgjatë sistemit komunist. Lajmin e bëri të ditur Kryeministri Berisha në mbledhjen e djeshme të qeverisë, ku theksoi se kjo strukturë do të merret me kërkimin, gjetjen dhe identifikimin e të ekzekutuarve nga regjimi diktatorial. Kryeministri në këtë kuadër kërkoi nga ministri i Brendshëm, Lulëzim Basha, edhe hartimin e një projekti, i cili pritet të marrë edhe miratimin e Këshillit të Ministrave. “Qeveria do të vendosë ngritjen e një Task Force, e cila do të merret me kërkimin, gjetjen e trupave të burrave dhe grave, intelektualëve të këtij vendi, punonjësve që u ekzekutuan barbarisht nga regjimi hoxhist, vetëm e vetëm se besonin te fjala e lirë, te Zoti, te vendi i tyre, pra në vlera që janë sa hyjnore aq edhe njerëzore”, theksoi Berisha. Ngritjen e një Task Force, Kryeministri e paralajmëroi edhe një ditë pasi në malin e Dajtit u zbulua varri masiv me eshtrat e 19 të vrarëve nga regjimi komunist. Vetë Kryeministri Berisha e cilësoi këtë ngjarje si tepër të hidhur dhe si një thirrje që shpirti i të përndjekurve të komunizmit i bënte shoqërisë së sotme shqiptare. Si rezultat i zbulimit të varrit, Berisha, përveçse paralajmëroi edhe ngritjen e Task Forcës, theksoi se është e nevojshme edhe ngritja e një instituti për të përndjekurit, i cili do të zbulojë përpara shqiptarëve të vërtetat e sistemit të egër komunist. Një ditë pas daljes së lajmit për varrezën masive, Berisha akuzoi edhe Gjykatën Kushtetuese, si në konflikt interesi me ligjin e lustracionit, ligj të cilin ajo e konsideroi si antikushtetues. Por Kryeministri dhe një grup deputetësh të Partisë Demokratike kanë theksuar se ligji i lustracionit do të zbatohet. Prej ditësh mazhoranca në vend po shikon mundësinë edhe të një referendumi, i cili do t’u japë mundësinë vetë shqiptarëve të pyeten nëse do të pranojnë dënimin e krimeve të komunizmit apo jo. Një nga pikat më të debatuara të këtij ligji është edhe nxjerrja jashtë jetës publike e njerëzve që kanë qenë pjesë e ish-Sigurimit të Shtetit, institucion ky famëkeq për sa i përket kontributit që jepte në dënimin e krimeve të bërë nga komunizmi. Deputetë të PD-së, dy ditë më parë gjatë një vizite në malin e Dajtit, në vendin ku u gjetën edhe viktimat, theksuan se shoqëria shqiptare nuk mund të toleronte me mosdënimin e krimeve të komunizmit dhe se mazhoranca nuk do të lejonte më të heshtej në lidhje me një epokë kaq të errët në jetën e shqiptarëve.
#