E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjermania ‘pro’ Shqipërisë në BE, opozita e ka vendin në kuvend

Kryetarja e Kuvendit takon përfaqësues Bundestag-ut gjerman për praktikën ndërkombëtare

Gjermania ka rikonfirmuar mbështetjen për Shqipërinë në procesin për integrimin evropian. Një mbështetje që vjen në një moment të rëndësishëm kur Gjermania ndodhet në procesin e konstituimit të qeverisë së re të dalë nga zgjedhjet e përgjithshme të 27 shtatorit. Mbledhja e Bundestagut të ri është parashikuar në 28 tetor. Gjatë një takimi të zhvilluar dje me përfaqësues të Bundestagu-t gjerman, me anëtaren Margrit Wetzel, njëkohësisht drejtuese e projektit të Bundestag-ut për praktikën ndërkombëtare parlamentare, kryetarja e kuvendit Jozefina Topalli, ka marrë garancinë në rrugine  Shqipërisë drejt BE-së.
“Unë mendoj se është në dorën e gjithsecilit prej vendeve të vlerësojnë momentin, se kur duhet të bëjë kërkesën e tij për anëtar të BE. Mendoj se Shqipëria deri sa të pranohet anëtare e BE, duhet të ecë dhe të bëjë progres të caktuara. Mendoj që është në rrugën e duhur për këtë. Ne e respektojmë kërkesën e Shqipërisë dhe e mbështesim në rrugën drejt integrimit”, tha ajo, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeparlamentaren Topalli.
Wetzel foli dhe mbi bojkotin e opozitës. Në këtë rast përfaqësuesja e Bundestagut gjerman kujtoi rëndësinë që merr zbatimi i detyrimeve që rrjedhin nga Progres-Raporti i BE-së, proces që sikundër tha nuk mund të përmbushet pa praninë e opozitës në Kuvend.
“Unë doja të theksoja faktin që pjesëmarrja e opozitës apo mbledhja e parlamentit në numrin e tij të plotë, është vërtet tejet e rëndësishme. Fakti që Progres Raporti i publikuar së fundi kërkon realizimin e reformave të rëndësishme për vendin, e bëjnë të domosdoshme mbledhjen e parlamentit në numrin e tij sa më të plotë. Edhe në Gjermani jo të gjithë kanë dalë fitues nga zgjedhjet dhe sigurisht ka të pakënaqur nga rezultati, por ajo që nuk mund të diskutohet është shmangia nga prania e tyre në parlament”, tha Witzel.
Kryeparlamentarja Topalli nënvizoi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit dy-palësh.
Në këtë vizitë të saj në Tiranë Margrit Wetzel shoqërohej nga Zëvendës Presidenti i Universitetit të Humbold-it, si dhe Drejtoresha e Departamentit të Bundestagut. Vizita bëhet në kuadër të bashkëpunimit me Universitetin prestigjioz të Humbold-it nën patronazhin e Kryetarit të Bundestagut, në një projekt që u jep mundësi studentëve shqiptarë të kryejnë praktikën në Bundestagun gjerman.
Duke u ndalur në situatën politike në Shqipëri, kryetarja e Kuvendit theksoi se “Shqipëria, tashmë anëtare e NATO-s, ka paraqitur kërkesën për statusin e vendit kandidat në BE dhe zgjedhjet e fundit u certifikuan nga vëzhguesit ndërkombëtar si zgjedhje që arritën standardet kryesore të OSBE-ODIHR”.
“Në stadin ku Shqipëria ka arritur, puna e parlamentit, ka tashmë në fokus përafrimin  e legjislacionit shqiptar me atë të BE-së”, u shpreh Topalli.
Kryetarja e Kuvendit theksoi edhe një herë se “pjesëmarrja e opozitës në parlament është shumë e rëndësishme për reformat në interes të Shqipërisë dhe shqiptarëve”.
E pyetur se cili është qëndrimi i Gjermanisë në procesin e përshpejtimit të statusit të  vendit kandidat në BE të Shqipërisë dhe vlerësim që kanë në lidhje me mungesën e pjesëmarrjes së opozitës në parlament, deputetja e Budenstagut, Margrit Wetzel tha se
“unë mendoj se është në dorën e gjithsecilit prej vendeve të vlerësojnë momentin, se kur duhet të bëjë  kërkesën e tij për anëtar të BE”.
“Mendoj se Shqipëria deri sa të pranohet anëtare e BE, duhet të ecë dhe të bëjë progres të caktuara. Mendoj që është në rrugën e duhur për këtë. Ne e respektojmë kërkesën e Shqipërisë dhe e mbështesim në rrugën drejt  integrimit”, tha Wetzel.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›