E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërtimi i TEC-it, meritë e qeverisë, rritet me 8 për qind prodhimi vendas

Ministri i Ekonomisë Dritan Prifti inspekton TEC-n e Vlorës

Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti së inspektoi dje dy nga veprat industriale më të mëdha në vend, Petrolifera Italo-Albanese dhe TEC-n, të konkretizuara në bregdetin perëndimor të qytetit të Vlorës. Prifti falënderoi punonjësit për punën e lavdërueshme. “Kjo është arritja e parë pas 30 vjetëve në prodhim energjie. Qeveria “Berisha” ka merita të veçanta për ndërtimin e TEC-it të ri, sepse rritet rreth 8 për qind fuqia prodhuese në vend”, u shpreh ministri Prifti.
Ministri i Ekonomisë, shprehu vlerësimet e tij ndaj këtyre investimeve, si vlera jo vetëm ekonomike, por edhe në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare.
“Të dyja këto vepra garantojnë jo vetëm zhvillimin ekonomik, por edhe social të vendit, duke krijuar një mjedis miqësor për llogari të biznesit, për banorët përreth, si dhe për shtetin shqiptar duke garantuar dhe lehtësuar detyrimet fiskale të klientëve  duke ulur  koston administrative për shtetin”, tha ai.
Gjithashtu z. Prifti konsideroi terminalin si një nga më modernët në pellgun e Mesdheut, gjë që do të mundësojë tërheqjen e kompanive më të njohura në Evropë në fushën e tregtimit të karburanteve.
Ndërkohë që, mbas 30-vitesh vihet në funksion TEC-i i Vlorës duke rritur kapacitetet prodhuese të energjisë në vlerën 8 për qind të prodhimit total vendas. Një investim mbi 130 milionë Euro, i financuar nga Banka Botërore dhe BERZH, i cili do të ndikojë direkt edhe në përmirësimin dhe zhvillimin e turizmit në vend.
Gjatë takimeve Ministri u ofroi përfaqësuesve mbështetjen e tij, për problemet apo pengesat që mund të hasen gjatë menaxhimit të këtyre projekteve, duke ju lehtësuar atyre burokraci të panevojshme.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›