Traktatin e Lisbonës, zhvillim që do t’i japë një dimension të ri zgjerimit të BE

Ministri Ilir Meta takon ambasadorin irlandez, Unfraidh
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, priti dje në një takim Ambasadorin e Irlandës në Tiranë, me rezidencë në Athinë, Antoin Mac Unfraidh. Gjatë takimi, Meta, falënderoi ambasadorin irlandez për mbështetjen dhe kontributin që vendi i tij i ka ofruar Shqipërisë, si dhe shembullin model që ajo përfaqëson për zhvillimin dhe rritjen ekonomike, për Shqipërinë dhe për vendet e rajonit tonë, në rrugën e tyre të ndryshimeve dhe progresit ekonomik.
Ministri Meta, përshëndeti rezultatin pozitiv të referendumit të qytetarëve irlandezë për Traktatin e Lisbonës, duke e cilësuar atë një zhvillim që do t’i japë një dimension të ri Bashkimit Evropian.
“Gjithashtu, ky është një lajm i shkëlqyer për Shqipërinë dhe vendet e tjera që po presin t’i shtohen familjes së vendeve të Bashkimit Evropian”, tha Ministri Meta.
Ambasadori Mac Unfraith, duke vlerësuar progresin e bërë nga Shqipëria, në rrugën e saj për përafrim me familjen evropiane siguroi vazhdueshmërinë për këtë ndihmë dhe mbështetje. Gjithashtu bashkëbiseduesit këmbyen mendime mbi situatën në rajonin e Ballkanit ku Ambasadori i Irlandës vlerësoi politikën e jashtme të Shqipërisë në rajon si dhe kontributin e saj në misione për ruajtjen e paqes dhe të sigurisë, në botë. Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Meta, shprehu angazhimin e qeverisë shqiptare për të intensifikuar marrëdhëniet dypalëshe edhe në fushën e ekonomisë, duke ftuar për bashkëpunim bizneset e të dy vendeve tona.