“Vendimi i PS, i gabuar, nuk është kjo mënyra për instrumentalizimin e politikës”

Ankimimi i opozitës në Gjykatën Kushtetuese, reagon ministri i Jashtëm, Ilir Meta
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, reagoi përsëri lidhur me çështjen e kufirit me Greqinë, e trumbetuar fatalisht nga opozita dhe elementët e saj aparteide. Shefi i diplomacisë shqiptare, Ilir Meta, e cilësoi si të gabuar vendimin e PS-së dhe të partive të tjera opozitare për të ankimuar në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen për kufijtë detar me Greqinë.
“Shpreh keqardhjen sepse nuk është kjo mënyra për një forcë politike për të vepruar në mënyrë të instrumetalizuar, aq më tepër kur kemi të bëjmë me një çështje politike serioze. Unë e mirëpres Ramën edhe në Ministrinë e Jashtme ku ai mund të takohet me të gjithë ekspertët që janë marrë me këtë çështje. Është e drejtë e tij të veprojë për të ndërmarrë nisma të tilla”, u shpreh Meta.
Dy ditë më parë, 6 parti politike të udhëhequra nga PS-ja, nënshkruan një marrëveshje të dyshimtë, për të ankimuar javën e ardhshme në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen detare me Greqisë dhe Shqipërisë. E ngritur në piedestalin e absurditetit, PS dhe aleatët e saj pseudopolitikë, i janë kundërvënë për qëllime dashakeqe dhe aspak të hijshme, një marrëveshjeje serioze dhe që është në përputhje me ligjet e shtetit dhe ato ndërkombëtare.
Përfaqësues të kabinetit qeverisës dhe mazhorancës në tërësi kanë dhënë verdiktin se kjo marrëveshje nuk cenon as territorin shqiptar e as atë grek, gjithçka është përcaktuar brenda planimetrisë së përllogaritur nga ekspertët detarë të të dy vendeve.
Duket e pakuptimtë dhe njëherazi dyshuese, roli i opozitës shqiptare dhe Edi Ramës, në këtë çështje që, nuk përbën aspak nyjën e një debati apo polemike të politikës shqiptare.