Gjermania studion rivalët me teknologji
Përveç punës në fushat stërvitore, Gjermania shfrytëzon teknologjinë për të studiuar kundërshtarët në aktivitetet madhore. Prej Botërorit 2006 e deri më tani, shkencëtari Jurgen Bushman dhe studentët e tij, përgatisin raporte të detajuara për rivalët e përfaqësueses. 54 studentë, të cilët përdorin kompjuterë me programe të avancuara, që janë vënë në dispozicion nga federata (DFB), kanë vëzhguar të gjitha skuadrat pjesëmarrëse në Afrikën e Jugut. Për çdo kundërshtar ka një fashikull me 300 faqe material dhe disa DVD të ndeshjeve. Vëmendje e veçantë u është kushtuar kundërshtarëve të skuadrës në grup, Australisë, Serbisë dhe Ganës, por edhe kundërshtarëve të mundshëm në fazat e mëtejshme të botërorit. Gjermania nuk ia lë asgjë rastësisë. Gjithçka është e detajuar dhe çdo episod kategorizohet, fakte si kontrolli i topit apo numri i goditjeve nga këndi. Por bëhet edhe analiza tekniko-taktike: si e ndërton kundërshtari lojën, cili lojtar ka më shumë kontakt me topin apo si reagon mbrojtja në situata të ndryshme.
#