E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjermania tmerron Europen

Gjermania siguroi një vend në gjysmëfinalet e Kampionatit Europian, në mënyrë të jashtëzakonshme: “panzerat” shkatërruan 4-2 Greqinë dhe regjistruan një record botëror. Skuadra e Joakim Lëv regjistroi fitoren e 15 radhazi në ndeshjet zyrtare, duke thyer primatin e mëparshëm me 14 ndeshje, që mbahej nga Franca, Anglia dhe Spanja.

Gjermania e nisi ecurinë e suksesshme që prej finales së vendit të tretë në Kupën e Botës 2010 në Afrikën e Jugut dhe prej asaj periudhe nuk është frenuar më. Të gjithë e kishin të qartë potencialin e gjermanëve, por tashmë Europa dridhet përpara forcës së kësaj skuadre.

Dhe gjithçka ndodh me të drejtë nëse shikon statistikat. Pas kualifikimit mes 4 më të mirave në Euro 2012, Gjermania arrin për të katërtën herë radhazi në gjysmëfinalet e evenimenteve madhore të futbollit. Rrugëtimi nisi nga Botërori 2006, për të vazhduar në Euro 2008, Botërorin 2010 dhe së fundmi në turneun në Poloni dhe Ukrainë.

“Ishte një paraqitje e nivelit botëror dhe skuadra arriti me meritë gjysmëfinalet e katërta radhazi”, tha Lëv që ishte dukshëm krenar, edhe për faktin se në tre gjysmëfinalet e fundit Gjermania i ka arritur pikërisht me atë në krye.

“Big”-ët e tjerë të kontinentit drithërohen me të drejtë nga ideja se do të kenë përballë Gjermaninë. Shifra të frikshme janë edhe golat e shënuar gjatë ecurisë rekord me 15 fitore: në total “panzerat” kanë shënuar 46 gola, ndërsa kanë pësuar vetëm 13.

I frikshëm është edhe fakti se trajneri Lëv mund ti lejojë vetes të ndryshojë tre titullarë në sulm, duke aktivizuar Klosen, Shërrlen dhe Rojs, e në vend të dobësohet, Gjermania shfaqet edhe më e rrezikshme në fazën offensive. Gjithashtu, një tjetër rekord është fakti që gjermanët kanë arritur për të shtatën herë në histori gjysmëfinalet e Kampionatit Europian.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›