E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndryshimi i Spanjes ne Euro 2012

Ndaj Francës fitorja thuajse nuk u vu aspak në diskutim, deri në atë nivel saqë Iker Kasijas nuk bëri asnjë pritje për të qenë. Ishin vetëm nja dy ndërhyrje të numrit 1 iberik, ndërsa në pjesën tjetër të kohës tifozët në stadium dhe teleshikuesit u detyruan të shihnin vetëm një qarkullim të pafund të topit nga ana e mjeshtrave spanjollë, qarkullim që nuk dha emocione të mëdha sepse hynte shumë rrallë në zonën franceze.
Nuk mund të thuash se kjo është e njëjtë me “katenaçon” e dikurshme italiane pasi iniciativa nuk i lihet kundërshtarit dhe skuadra nuk mbyllet në mbrojtje, por as nuk mund të pranojmë që kjo të jetë baraz me spektaklin e zakonshëm të Barcelonës.
Njerëzit thjesht duhet të presin që Spanja të pësojë gol, siç ndodhi ndaj Italisë në grup, që të nisë të luajë shpejt dhe fort. Ndoshta ato minuta në pjesën e dytë të asaj ndeshjeje ishin më të bukurat e kampionëve të Europës në këtë turne deri tani.
Ose duhet pritur ndonjë ndeshje me diferencë të madhe mes skuadrave, siç ndodhi ndaj Irlandës, ku spanjollët fituan 4-0 duke dhënë spektakël, pasi ekipi i Europës Veriperëndimore ishte tepër naiv për të ndërtuar një taktikë të rafinuar.
Nuk ka qenë kjo filozofia e ish-trajnerit Luis Aragones, apo edhe e trajnerit të tanishëm, Visente Del Boske, ndërsa spanjollët ishin të shkëlqyer në Euro 2008, por gjithashtu treguan veten në disa ndeshje në Botërorin 2010, sidomos në gjysmëfinalen ndaj Gjermanisë fituar vetëm 1-0, por të dominuar nga fillimi deri në fund.
Dhe duket se pikërisht Gjermania është skuadra që mund t’ia rrëmbejë Spanjës vendin në zemrat e tifozëve që duan futbollin e bukur. Ekipi i Joakim Lëvit ka dhënë spektakël thuajse në çdo minutë të këtij Europiani, pavarësisht se ishte në një grup të hekurt, duke treguar dëshirë të pafundme edhe në përballjen e vështirë ndaj Greqisë në çerekfinale.
Natyrisht, duhet të presim edhe pak që të nxjerrim përfundimet finale në këtë turne, por tendenca flet më shumë gjermanisht sesa spanjisht.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›