E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjermeni: Deputetët e PS të pranojnë vendimin e shumicës

 

Aristir Lumezi

Deputetja socialiste Eglantina Gjermeni mirëpret debatin që zhvillohet në PS, duke e cilësuar atë një parti të hapur dhe moderne, por shprehet se vendimi i shumicës është i detyrueshëm për t'u pranuar. Lidhur me përbërjen e qeverisë, ajo shpreh keqardhje për mosrespektimin e ligjit për Barazinë Gjinore. 
Zonja Gjermeni, grupi parlamentar socialist ka vendosur të bojkotojë pa afat deri në plotësimin e disa kushteve Parlamentin. Cili është mendimi juaj rreth këtij vendimi?
Unë jam pjesë e grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe natyrisht që jam pjesë e marrjes së këtij vendimi. Gjatë  mbledhjes së Asamblesë së Partisë Socialistë, Kongresit të Jashtëzakonshëm të saj, mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialistë ka pasur mendime të ndryshme, është zhvilluar dhe debat. Ky është tregues i demokracisë së brendshme të Partisë Socialiste, demokraci e cila e dallon atë nga të gjitha partitë e tjera në Shqipëri. Por, pavarësisht këtyre mendimeve, emëruesi i përbashkët i këtyre forumeve ka qenë njohja e faktit se zgjedhjet e 28 qershorit nuk ishin në përputhje me standardet e një vendi anëtar të NATO dhe të një vendi që aspiron t'i bashkohet Komunitetit Evropian dhe aq më pak, shumë larg angazhimeve të përsëritura të qeverisë për të realizuar zgjedhje të lira dhe demokratike. Partia Socialiste ka kushtëzuar pjesëmarrjen e saj në Parlament, si një qëndrim politik që nuk toleron mungesën e transparencës gjatë gjithë procesit zgjedhor e për më tepër nuk mund të lejojë deformimin e vullnetit të zgjedhësve. Kushtëzimi i hyrjes sonë në Kuvend, në mënyrë të sinqertë dhe në respekt të kontratës sonë politike me zgjedhësit dhe angazhimet tona në raport me partnerët ndërkombëtarë, synon mbrojtjen edhe konsolidimin e demokracisë në Shqipëri, si dhe të garantojë që në të ardhmen të marrë fund njëherë e përgjithmonë saga e zgjedhjeve me legjitimitet të cunguar.
Por zëra brenda deputetëve socialistë shprehen kundër bojkotit dhe shprehen se opozita duhet të jetë në Kuvend, pasi në këtë mënyrë do të mund të justifikojnë votat e marra në 28 qershor. Si i gjykoni ju këto qëndrime?
Debatet edhe qëndrimet ndryshe brenda Partisë Socialiste konfirmojnë edhe njëherë faktin se Partia Socialiste është një parti që krijon hapësira, respekton edhe vlerëson mendimin ndryshe, sidomos kur bëhet fjalë për çështje të një rëndësie të veçantë kombëtare, siç janë demokracia dhe zgjedhjet. Pikërisht për këtë fakt, mendoj që Partia Socialiste vazhdimisht ka pasur dhe ka brenda saj intelektualë me profesione edhe përvoja të ndryshme, me kapacitete profesionale, të cilët kanë kontribuar edhe vazhdojnë të kontribuojnë për të. Unë i respektoj mendimet ndryshe të kolegëve, pavarësisht se mund të kem rezerva për mënyrën si janë shprehur, por në të njëjtën kohë i përmbahem parimit të zërit të shumicës që vendos në demokraci. Grupi parlamentar i Partisë Socialiste përbëhet nga 65 anëtarë edhe është mëse normale që brenda nesh të ketë mendime ndryshe për të njëjtën çështje. Grupi Parlamentar i Partisë Socialistë vendosi marrëdhënien e kushtëzuar me Parlamentin Shqiptar dhe ky ishte një vendim i shumicës së anëtarëve të grupit. Ne do të kemi mundësi që në kontaktet me bazën të sqarojmë, të diskutojmë dhe në respekt me kontratën politike që kemi me të, të dëgjojmë edhe mendimet e tyre lidhur me këtë situatë paszgjedhore. Por, jam e sigurt se të gjithë kërkojnë garanci që në të ardhmen vullneti i tyre politik të mos deformohet.
Dy ditët e fundit, edhe nga faktori ndërkombëtar, Bosch dhe Lohan ka pasur deklarata, të cilat i kujtojnë deputetëve që vendi ku bëhet debati politik është Parlamenti. Mendoni se qëndrojnë deklaratat e tyre për rastin e zgjedhjeve të 28 qershorit?
Deklaratat e z. Bosch dhe Lohan vijnë nga dy institucione prestigjioze ndërkombëtare me të cilat unë kam pasur kënaqësinë edhe nderin të bashkëpunoj gjatë punës time në shoqërinë civile.
Parimisht jam dakord me to. Unë e respektoj idenë se vendi ku bëhet debati publik është Parlamenti, duke shtuar edhe faktin se një grup parlamentar i PS prej 65 anëtarësh mund të luajë një rol shumë të rëndësishëm si një opozitë konstruktive edhe një monitoruese dhe reaguese ndaj veprimtarisë së qeverisë. 
Por, dua të theksoj se kushtëzimi i marrëdhënies me Parlamentin nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste është si rezultat i një procesi zgjedhor të manipuluar. Gjatë fushatës elektorale në kontaktet me qytetarë të ndryshëm më ka mbetur në mendje fjalia "Ne do t'ju votojmë, po a do të na mbrohet vota...". U detyrohemi këtyre qytetarëve që na kanë mbështetur edhe votuar, por edhe gjithë qytetarëve shqiptarë t'u garantojmë një votë të lirë, të fshehtë edhe demokratike. Unë mendoj se është e rëndësishme që në demokraci dhe veçanërisht në momentet kur kjo demokraci është në kulmin e vet, pra në momentet e ushtrimit lirisht të vullnetit politik të qytetarëve, politika duhet t'u garantojë qytetarëve standardet minimale. Qytetarëve u duhet ofruar një fushatë elektorale, ku secili të gëzojë lirinë e të menduarit edhe të qëndrimit ndryshe, ku gjithkush mundësinë për të ushtruar të drejtën e votës (ndërkohë që procesi i pajisjes së qytetarëve më karta identiteti ishte një proces jotransparent, përzgjedhës edhe jo i plotë, shumë qytetarë nuk votuan për shkak të mospajisjes me karta identiteti) transparencë të shpenzimeve financiare të qeverisë për fushatën elektorale, standarde edhe drejtësi në qendrat e numërimit të votës, drejtësi edhe paanësi në institucionet e administrimit të zgjedhjeve, si edhe siguri që vota nuk do të dekonspirohet edhe jo të shoqërohet me heqje nga puna (siç po ndodh rëndom).
Kur flasim për standarde, të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se ato nuk u arritën. Pohimit se këto zgjedhje të 28 qershorit ishin më të mirat në Shqipëri, do t'i shtoja pyetjen e thjeshtë dhe të drejtpërdrejtë; A u arritën apo jo standardet e zgjedhjeve në Shqipëri? Dhe, në cilin vend demokratik, anëtar të NATO-s do të quheshin këto zgjedhje të lira, demokratike të pranuara nga ana e standardeve?
Si e gjykoni garën tashmë të hapur për postin e kryetarit të PS-së, mes zotit Rama dhe Lakrori. Mendoni se është një garë emrash apo platformash?
Gara për postin e kryetarit të PS-së është një garë e cila ishte e hapur për çdo kandidat/e të mundshëm. Më vjen keq që janë vetëm dy kandidatë në garë. Më vjen keq që z. Malaj u tërhoq nga gara sepse e vlerësoj për të gjithë kontributin pranë PS-së profesionalizmin edhe ekspertizën që zotëron. Mendoj që konkurrenca e platformave edhe qëndrimeve të ndryshme brenda kandidatëve për kryetarë të PS-së do të ndikonte në votimin e alternativës më të besueshme, më të realizueshme, më pranë qytetarëve, më pjesëmarrëse, më demokratike, për më tepër që do të sjellë me siguri Partinë Socialiste në pushtet, në një të ardhme shumë të afërt. Gara mes Zotit Rama dhe zotit Lakrori i shoh si gara platformash. Anëtarët e Partisë Socialiste do të jenë prezentë edhe pjesëmarrës në takimet, ku këto platforma do të bëhen pronë e anëtarësisë dhe më gjerë.
Cili është vlerësimi juaj për kabinetin e ri qeveritar dhe përfaqësimin e grave në të?
Kabineti i ri qeveritar duke pasur në përbërjen e tij vetëm një grua (Znj. Bregu, si Ministre e Integrimit) ndër 15 ministra, konfirmoi edhe njëherë faktin se ligjet, që ekzistojnë në Shqipëri janë shumë të mira, por nuk zbatohen (edhe nga ata që i kanë aprovuar!) Ligji "Për barazinë gjinore në shoqëri" i miratuar nga Parlamenti shqiptar në korrik 2008 kërkon që secila gjini të përfaqësohet në jo më pak se 30 % në institucionet e zgjedhura apo të emëruara. Veç legjislacionit shqiptar, shteti shqiptar ka ratifikuar një sërë konventash ndërkombëtare apo dokumentesh për të cilat ka detyrimin t'i zbatojë si para qytetarëve të vet ashtu edhe në arenën ndërkombëtare. Gjatë fushatës elektorale Ligji i Barazisë Gjinore nuk u zbatua ashtu siç duhej nga partitë politike. Ndërkohë që për hir të zbatimit të pjesshëm të tij u arrit që pjesëmarrja e grave në këtë Legjislaturë të rritet në 23 parlamentare (nga 10 që ishin në  legjislaturën e kaluar). Megjithë rritjen, jemi të ndërgjegjshëm se kishte hapësirë për më shumë, nëse do të kishte vullnet për këtë. Ajo që më shqetëson është se shpeshherë pjesëmarrja e grave në pozicione vendimmarrëse (në qeverisje apo parlament) shihet thjesht si një "gjë që duhet bërë". Barazia mes grave dhe burrave në të gjitha nivelet nuk mund edhe nuk duhet të mbetet thjesht një slogan, ajo është një çështje e të drejtave të njeriut, që lidhet padyshim me një qeverisje më të mirë, me një zhvillim më të qëndrueshëm, si edhe me një nivel më të lartë demokracie, duke garantuar pjesëmarrje të së dyja gjinive në të gjitha fushat dhe në të gjitha nivelet.
Mendoj që zbatimi i legjislacionit ekzistues (konkretisht Ligjit për Barazi në Gjinore në Shoqëri dhe jo vetëm) mbetet një sfidë e madhe për të gjithë shoqërinë shqiptare. Sfidë të cilën do të na duhet ta kapërcejmë me suksese nëse vërtet duam që të bëhemi pjesë e denjë e Komuniteti Evropian. Shembulli i qeverisë në krijim nuk është inkurajues.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›