E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maroni: Shqipëria, ende larg liberalizimit të vizave

 

Shqipëria dhe Bosnja duhet të vazhdojnë reformat deri në plotësimin e kushteve për të përfituar nga KE-ja liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian. Kështu ka deklaruar ministri italian i Punëve të Brendshme, Roberto Maroni, gjatë diskutimit të tij në Konferencën e nëntë të ministrave mbi emigracionin e paligjshëm, kriminalitetin e organizuar, terrorizmin dhe korrupsionin, të zhvilluar në Brdo të Sllovenisë. Duke prekur çështjet e emigracionit ilegal, ministri i Brendshëm nuk ka ngurruar që të trajtojë edhe çështjen e liberalizimit të vizave. Maroni tha se Italia është e gatshme të ndjekë Shqipërinë, në mënyrë që nga 1 janari i vitit 2010 ajo të përshtatet me normat që duhen për liberalizimin e vizave. Ministri italian nënvizoi se Maqedonia është në rrugë të mbarë, ndërsa Serbia dhe Mali i Zi po bëjnë reformat e duhura për arritjen e standardeve, por Shqipëria dhe Bosnja kanë akoma shumë hapa për të bërë. Procesi i liberalizimit të vizave, i filluar gjashtë vite më parë, është një nga mjetet e luftës kundër hyrjes së emigrantëve të paligjshëm nga vendet ballkanike. Në janar të vitit të ardhshëm Komisioni Evropian pritet të japë vlerësimet e tij në lidhje me plotësimin e kushteve nga ana e Shqipërisë për procesin e liberalizimit të vizave me BE-në. Më 15 korrik të këtij viti Komisioni Evropian pranoi që për shtetet si Serbia, Maqedonia dhe Mali i Zi të hiqet regjimi i vizave. Ndërsa për Shqipërinë dhe Bosnjën duhet të plotësohen ende kushtet e vendosura nga ana e Komisionit Evropian. Tre kushtet e vendosura nga KE-ja janë pajisja me pasaportat biometrike, forcimi i strukturave në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe forcimi i kontrollit dhe menaxhimit të kufijve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›