Berisha kafe me ministrat e rinj
ADI SHKEMBI
Kryeministri Sali Berisha ka thirrur dje për herë të parë në një takim kabinetin e ri qeveritar, me të cilin do të nisë mandatin e dytë katërvjeçar. Pak para se të dërgonte emrat për dekretim në Presidencë, kreu i Qeverisë ka mbledhur në zyrën ku zhvillohen takimet e delegacioneve në Këshillin e Ministrave 15 ministrat e rinj me të cilët ka biseduar kryesisht për programin që do të votohet në Parlament. Rreth orës 11.00 ministrat janë mbledhur në katin e dytë të selisë së Qeverisë, ndërkohë që i fundit që ka mbërritur ka qenë ministri i ri i Mjedisit, Fatmir Mediu. Në takimin që ka zgjatur rreth 30 minuta kreu i ekzekutivit u ka kërkuar ministrave të tij të rinj që të përfundojnë pjesën e programit të secilës prej ministrive në ditët që kanë ngelur, pasi ai pritet të miratohet së bashku me emrat e rinj të ministrave në mbledhjen e Parlamentit të ditës së hënë. Në përfundim të takimit ministrat së bashku me kryeministrin kanë pirë edhe kafen e parë në pozicionin e ri, duke u uruar atyre suksese për detyrën e re.
Emrat te Topi
Menjëherë pas mbledhjes së parë me ministrat, Kryeministri Berisha ka dërguar në Presidencë propozimet e tij për qeverinë e re. Sipas nenit 98 të Kushtetutës “Emërimi dhe shkarkimi i ministrit”, kreu i shtetit ka 7 ditë kohë për të shqyrtuar propozimet e kryeministrit dhe për t’i dekretuar. Pas kësaj procedure, dekreti duhet të shqyrtohet në Parlament brenda 10 ditësh. Duke qenë se dekretit kanë të bëjnë me formimin e Qeverisë, brenda të njëjtit votim, do të jenë emrat e ministrave, kryeministrit dhe programi i qeverisë, i cili do të lexohet para deputetëve nga kreu i Qeverisë. Koalicioni i djathtë ka deri tani 74 vota në Parlament, të konfirmuara së fundi edhe me votimit për kryetaren e parlamentit, Jozefina Topalli, ndërkohë që opozita pritet ta bojkotojë edhe seancën kur do të votohet qeveria. Në përfundim të votimit të dekreteve, ministrat e rinj do t’i drejtohen sërish Presidencës, ku para kreut të shtetit do të bëjnë betimin dhe pas saj do të shkojnë në selinë e Këshillit të Ministrave kur do të bëhet edhe seanca e parë. Pas konsultimeve me aleatët dhe në përfundim të procedurës së verifikimit të mandateve, partitë e koalicionit të djathtë dërguan në presidencë propozimin për të emëruar Sali Berishën si kryeministër. Pas dekretit të nxjerrë nga Topi, kreu i qeverisë në detyrë, publikoi të mërkurën në mbrëmje kabinetin e tij të ri të mandatit të dytë.