E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministrat e qeverisë së re i dërgohen Topit për dekretim

Dje në mesditë dokumentacioni i është dërguar kreut të shtetit. Çfarë parashikon Kushtetuta dhe afati që ka Presidenti në dispozicion

Eljona Ballhysa
Ministrat e rinj të Kabinetit qeveritar janë dërguar dje në mesditë në Presidencë për të marrë dekretimin nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Burime nga Kryeministria kanë bërë të ditur për gazetën se sekretari i Përgjithshëm i Kabinetit të kryeministrit Berisha ka përgatitur dje dokumentacionin e nevojshëm për secilin ministër të propozuar nga kreu i qeverisë dhe e ka dërguar këtë dokumentacion dje në mesditë në Presidencë. Tani pritet firma e kreut të shtetit për të dekretuar ministrat e propozuar nga Berisha për t’i hapur rrugën miratimit të tyre në Kuvend.
Kushtetuta
Në bazë të Kushtetutës, Presidenti i Republikës ka në dispozicion 7 ditë për të bërë verifikimet e nevojshme për secilin nga propozimet dhe më pas të firmosë dekretin. Në Kushtetutë nuk parashikohet rrëzimi i propozimeve për emërim ministrash nga presidenti. Por, ajo që vihet në dyshim është qëndrimi që do të mbajë kreu i shtetit për një nga ministrat e qeverisë që është në proces gjyqësor dhe për të cilin së fundi ka pasur një peticion që ai të mos jetë në qeveri. Bëhet fjalë për Fatmir Mediun, i cili është propozuar nga Berisha për postin e ministrit të Mjedisit. Në Nenin 98 të Kushtetutës parashikohet që “ministri emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës, me propozim të kryeministrit, brenda 7 ditëve”. Pra nuk ka asnjë dispozitë që të parashikojë kthimin mbrapsht të propozimit të bërë nga kreu i qeverisë. Burimet bëjnë të ditur se megjithëse presidenti ka 7 ditë kohë për të dekretuar ministrat, ai do të hedhë firmën mbi dekrete para këtij afati dhe pritet që dekretet dhe i gjithë kabineti qeveritar të miratohet nga Kuvendi ditën e hënë, në seancë parlamentare.
Qeveria
Një ditë më parë kryeministri i sapodekretuar, Sali Berisha, shpalli kabinetin e ri qeveritar me të cilin do të qeverisë vendin gjatë këtij mandati të dytë katërvjeçar. Kreu i qeverisë, përveç ministrave të bërë publik dhe që u përkasin partive aleate, ka ruajtur shumicën e ministrave të kabinetit të kaluar, ndërkohë që ka shtuar disa emra të rinj të përzgjedhur nga radhët e Grupit Parlamentar të PD-së. Gjatë fjalës së tij Berisha ka vënë theksin në dy prej reformave parësore të qeverisë së re, që është lufta kundër korrupsionit, e cila konsiston kryesisht në miratimin e ligjit që i heq autoveturat deputetëve dhe zyrtrëve të tjerë, dhe reforma në sistemin e shëndetësisë. Berisha bëri publike se postin e ministrit të Drejtësisë do ta mbajë Bujar Nishani, i cili gjatë këtyre viteve ka drejtuar Ministrinë e Brendshme. Kryeministri Berisha vlerësoi punën e bërë nga ish-ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj. Në postin e ministrit të Bujqësisë Berisha emëroi Genc Rulin. Ky i fundit, gjatë katër viteve të kaluara, ka mbajtur postin e ministrit të Ekonomisë dhe Energjetikës, post ky që i kalon Dritan Priftit të LSI-së. Gjatë fjalës së tij Berisha vlerësoi punën e bërë nga ish-ministri i Bujqësisë, Jemin Gjana. Në postin e ministrit të Mbrojtjes kryeministri emëroi Arben Imamin, i cili në këto katër vite ka drejtuar Kabinetin e këshilltarëve të Berishës. “Arben Imami është një nga themeluesit e PD-së dhe nënkryetar i kësaj partie në vitet e para të saj, bashkëpunëtor i ngushtë i imi në këto vite, bashkëpunëtor i të gjitha reformave”, - është shprehur Berisha, ndërsa falënderoi ish-ministrin e Mbrojtjes, Gazmend Oketa. Në postin e ministrit të Arsimit Berisha emëroi Myqerem Tafajn, i cili ka mbajtur postin e këshilltarit të Berishës për arsimin. Tafaj është njeriu që ka hartuar në këto vite reformën e PD-së për arsimin dhe veçanërisht për Akademinë e Shkencave. Gjatë fjalës së tij Berisha vlerësoi punën e bërë nga ish-ministri i Arsimit, Fatos Beja. Në postin e ministrit të Punës dhe Çështjeve Sociale Berisha emëroi deputetin e PD-së, Spiro Ksera. Berisha tha se me Spiro Kserën përfaqësohet në qeveri minoriteti grek. “Kam shumë kënaqësi që minoriteti përfaqësohet në qeverinë time. Unë kam ftuar PBDNJ-në, e cila për disa probleme nuk iu përgjigj ftesës. Nuk mund të krijoja kabinet pa faktuar se ka përfaqësues të minoritetit grek në Shqipëri”, - është shprehur Berisha. Në postin e ministrit të Kulturës Berisha emëroi deputetin e PD-së, Ferdinand Xhaferraj, duke shprehur besimin se kjo ministri do të drejtohet me kompetencë.
Ndërkaq, Berisha rikonfirmoi në postet e tyre ministër të Transporteve Sokol Olldashin, ministër të Financave Ridvan Boden dhe ministre të Integrimit Majlinda Bregun. Për shkak se postin e zëvendëskryeministrit e mban Ilir Meta, Berisha ka shtuar një post ministri Shteti, i cili do të drejtohet nga Genc Pollo. Funksioni i tij do të jetë të mbajë lidhjet midis qeverisë dhe Parlamentit. Në bazë të marrëveshjeve me aleatët, LSI-ja, ashtu siç është bërë publike, merr Ministrinë e Jashtme, që do të drejtohet nga Ilir Meta, Ministrinë e Ekonomisë, që do të drejtohet nga Dritan Prifti dhe Ministrinë e Shëndetësisë, që do të drejtohet nga Petrit Vasili. Partia Republikane merr në bazë të marrëveshjes Ministrinë e Mjedisit, që do të drejtohet nga Fatmir Mediu. Ndërkaq, aleatja më e re e PD-së, partia e komunitetit çam, PDI, nuk do të përfaqësohet në qeveri me post ministror për shkak se sipas Berishës votat që ka fituar nuk janë në proporcion me këtë post. Berisha ka premtuar se PDI-ja do të jetë pjesë e qeverisjes, duke nënkuptuar postet e zëvendësministrave.

Kushtetuta
Neni 96
1. Presidenti i Republikës, në fillim të legjislaturës, si dhe kur vendi i kryeministrit mbetet vakant, emëron kryeministrin me propozim të partisë ose koalicionit të partive që ka shumicën e vendeve në Kuvend.
2. Në qoftë se kryeministri i emëruar nuk miratohet nga Kuvendi, presidenti emëron një kryeministër të ri brenda 10 ditëve.
3. Në qoftë se edhe kryeministri i emëruar rishtas nuk miratohet nga Kuvendi, brenda 10 ditëve Kuvendi zgjedh një kryeministër tjetër. Në këtë rast presidenti emëron kryeministrin e ri.
4. Kur Kuvendi nuk arrin të zgjedhë kryeministrin e ri, Presidenti i Republikës shpërndan Kuvendin.

Neni 97
Kryeministri i emëruar sipas Nenit 96, Nenit 104 ose 105, i paraqet për miratim Kuvendit, brenda 10 ditëve, programin politik të Këshillit të Ministrave së bashku me përbërjen e tij.

Neni 98
1. Ministri emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës, me propozim të kryeministrit, brenda 7 ditëve.
2. Dekreti shqyrtohet brenda 10 ditëve nga Kuvendi.

Neni 99
Para fillimit të detyrës, kryeministri, zëvendëskryeministri dhe ministrat betohen para Presidentit të Republikës.

11 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›