E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjermeni: “Kryeministri Berisha mashtron për mbajtjen e premtimeve”



Deputetja e Partisë Socialiste, Eglantina Gjermeni, e akuzoi dje kryeministrin Sali Berisha se i ka mashtruar shqiptarët për mbajtjen e premtimeve. Reagimi i saj vjen pas deklaratës së Berishës në mbledhjen e djeshme, i cili u shpreh se qeveria ka prioritet ndërtimin e rrugëve.
“Berisha në mbledhje përmendi rrugën Levan – Tepelenë apo Levan – Vlorë. Ka vite që i përmend. Këto rrugë duhet të kishin mbaruar, sepse edhe fondet e donatorëve janë disponibël. Por zvarriten sepse ua dhanë sekserëve të Sali Berishës, të cilët si në rastin e hidrocentraleve, nuk janë marrë ndonjëherë me rrugë dhe tani nuk dinë t’i bëjnë. Berisha përmend rrugë e vetëm rrugë, por në fakt gënjen. Nëse do të ishin bërë të gjitha rrugët që ai ka thënë dhe sidomos po të numërohen shiritat që ai ka prerë, Shqipëria duhet të ishte 5 herë më e madhe nga çfarë është”, - u shpreh Gjermeni. Sipas saj, Berisha gënjeu për likuidimin e sipërmarrësve të punëve publike, gënjeu në dhjetor me buxhetin 2010, gënjeu në korrik me rishikimin e buxhetit 2010. Ajo tha se moskryerja e pagesave për sipërmarrësit e punëve publike i ka futur në kolaps jo vetëm këta, por furnitorët e tyre, punëtorët që nuk janë paguar prej muajsh si dhe bankat kur shtohen për ditë kreditë e këqija. “Kryeministri foli për administrimin e mbeturinave, ujërave të zeza, në vend që të japë llogari pse nuk është realizuar premtimi i dy mandateve për ndërtimin e kolektorëve të ujërave të zeza, sidomos në zonat bregdetare turistike. Në vend që t’u thotë sipërmarrësve në hoteleri e restorante se ku është kanali kryesor i ujërave të zeza, i kërcënon publikisht se do t’u shkatërrojë bizneset. Kryeministri foli për rritje pagash e pensionesh në korrikun e vitit që vjen. Por shqiptarët duhet të jetojnë edhe sot, edhe në muajt që vijojnë dhe nuk mund të vdesin urie duke pritur korrikun 2011. Buka është shtrenjtuar, po ashtu mielli e vaji, po ashtu uji, qumështi e kosi, që nga sot edhe tarifat e telefonisë fikse”, - tha Gjermeni.

2 Shtator 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›