Komisioni hetimor dhe korrupsioni mbeten në diskutimet e Partisë Socialiste
Pritet që këto ditë të mblidhet Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, i cili do të diskutojë mbi axhendën e këtij muaji. Ngritja e komisionit hetimor parlamentar për zgjedhjet e 28 qershorit të vitit 2009 do të jetë pika kryesore e diskutimeve. Çështja e dytë, e cila nuk ngelet mbrapa për nga rëndësia, është edhe denoncimi me fakte i korrupsionit të ministrave të kabinetit qeveritar “Berisha”. Denoncimet e aferave korruptive të opozitës do të vijojnë edhe gjatë seancave plenare të Parlamentit.
Përsa i përket hetimit të zgjedhjeve të kaluara, kreu i Grupit të socialistëve, Gramoz Ruçi, ka bërë të qartë se hetimi duhet të përmbajë fletët e votimit, në të kundërt, kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, presidenti Bamir Topi apo Gjykata Kushtetuese t’i drejtohen një arbitri ndërkombëtar, siç është Komisioni i Venecias.
Ditë më parë, numri dy në PS bëri publike tri dokumente që PS-ja i ka depozituar maxhorancës për zgjidhjen e krizës. Sipas tij, dokumenti i parë ka të bëjë me miratimin e një rezolute nga ana e Parlamentit shqiptar për mbështetjen e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. I dyti ka të bëjë me angazhimin e PS-së për zgjidhjen e krizës politike lidhur me transparencën e zgjedhjeve të qershorit 2009, si dhe hapat konkretë që duhen hedhur në këtë drejtim dhe i treti ka të bëjë me angazhimin politik të PS-së për një reformë të plotë elektorale. “Transparenca e zgjedhjeve do të bëhet së bashku me fletët e votimit. Përjashtojmë ekzekutimin e fletëve, ndaj propozojmë të vazhdojmë negociatat për fletët e votimit. Në rast se maxhoranca kundërshton, kryetarja e Parlamentit le t’i drejtohet Komisionit të Venecias”, - është shprehur Ruçi. Sipas Ruçit, PS-ja nuk do të dëshironte të vazhdonte më tej me protesta, pasi çdo gjë mund të zgjidhet në sajë të një vullneti të mirë politik.
2 Shtator 2010