Braçe: “Vokshi favorizoi Arian Tartarin, i jep 4 vendburime të naftës dhe gazit”
Partia Socialiste u është rikthyer akuzave ndaj deputetes demokrate Albana Vokshi duke publikuar të tjera fakte, të cilat e implikojnë deputeten në afera korruptive dhe konflikt interesi. Nënkryetari i Grupit kuvendor socialist, Erion Braçe, deklaroi se në periudhën kur kompania “Stream Oil” e Arian Tartarit, bashkëshortit të deputetes, nënshkroi marrëveshjen me kompaninë “Albpetrol” për marrjen me koncesion të katër nga gjashtë vendburimet e naftës, Vokshi ishte anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të Albpetrolit. Kështu, sipas PS-së, Vokshi favorizoi partnerin e saj në dhënien e kontratës koncesionare për 4 vendburimet e naftës dhe të gazit. Braçe i ka bërë thirrje organit të Prokurorisë të hetojë për faktet që Partia Socialiste ka nxjerrë ndaj deputetes demokrate.
Deklarata
“Qeveria ka miratuar 4 marrëveshje hidrokarburesh me kompaninë, mes kompanisë ‘Albpetrol’ dhe kompanisë ‘Stream Oil’, që të dyja kompani të familjarizuara tashmë për gjithë publikun shqiptar. Do të doja të thosha që këto 4 marrëveshje vënë në dispozicion të kompanisë ‘Stream Oil’ 4 nga 6 vendburimet e naftës dhe të gazit që disponon sot Shqipëria nën administrimin e qeverisë së radhës dhe e radhës në vitin 2007 është qeveria e Sali Berishës”, - u shpreh Braçe. “Në kohën kur këto marrëveshje, pra në korrik-gusht të vitit 2007 janë nënshkruar mes kompanisë ‘Albpetrol’ dhe kompanisë ‘Stream Oil’, zonja Albana Vokshi, sot në statusin e deputetes, ka qenë anëtare e Këshillit Mbikëqyrës së kompanisë ‘Albpetrol’, autoritet që ka pasur vendimmarrjen e plotë për dhënien e këtyre 4 kontratave apo 4 marrëveshjeve hidrokarbure te kompania ‘Stream Oil’”, - tha Braçe.
Faktet
Numri dy i Grupit kuvendor socialist, Erion Braçe, ka publikuar dy dokumente me firmë të deputetes Vokshi, të cilat dëshmojnë se zonja në fjalë ka qenë anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të kompanisë “Albpetrol”. “Kjo është deklarata e pasurisë së zonjës Vokshi për vitin 2006. Pika 2 e faqes 3, në të cilën paraqiten të ardhurat si anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të kompanisë ‘Albpetrol’, 296 748 lekë bruto. Fakt që konfirmon qenien e zonjës anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të kompanisë ‘Albpetrol’, njëra nga 2 partneret në këtë marrëveshje. Kjo është deklarata e pasurisë së zonjës në fjalë për vitin 2007 dhe po me firmë të saj, në faqen 3 të kësaj deklarate, shënohen të ardhurat si anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të Albpetrolit, 277 145 lekë të rinj, që konfirmon pikërisht faktin se në vitin 2007, kur Albpetroli ka nënshkruar një marrëveshje për lëshimin e 4 nga 6 vendburimet e naftës dhe të gazit me kompaninë ‘Stream Oil’, zonja në fjalë ka qenë anëtare e Këshillit Mbikëqyrës”, - deklaroi Braçe, duke paraqitur edhe dokumentet ligjore.
Në hetimet që Partia Socialiste ka bërë, Braçe deklaroi se kompania “Stream Oil”, sipas të gjitha dokumenteve zyrtare të depozituara në agjencitë shtetërore dhe në gjykatat e këtij vendi, rezulton një kompani 100% në pronësi të shtetasit Arian Tartari. “Pikërisht në momentin kur qeveria ka miratuar kontratat mes shoqërisë ‘Albpetrol’ dhe ‘Stream Oil & gaz’, zonja Albana Vokshi ka qenë në detyrën e anëtares së Këshillit Mbikëqyrës të kompanisë shtetërore ‘Albpetrol’, gjë që e vë drejtpërdrejt në kushtet e konfliktit të pastër të interesit, kur me vendim pikërisht të Këshillit Mbikëqyrës të kompanisë ‘Albpetrol’ kanë kaluar 4 nga 6 vendburimet e naftës te kompania ‘Stream Oil’ e bashkëjetuesit, bashkëshortit, partnerit, apo babait të fëmijëve të saj”, - u shpreh Braçe.
2 Shtator 2010