Gjermeni: Vendi e qytetarët në krizë ekonomike, qeveria e zënë me korrupsionin

Tiranë, 29 gusht, NOA Situata ekonomike, rritja e taksave dhe e çmimeve kanë qenë sot tema e trajtuar nga Partia Socialiste në qëndrimin e saj për mediat. Deputetja e PS-së, Eglantina Gjermeni tha sot se vendi është në krizë si pasojë e keq qeverisjes dhe zyrtarët në vend që të marrin masa konkret, janë të zënë duke bërë korrupsion.
Ministrat e qeverisë duket se janë tepër të zënë me privatizime korruptive të pasurive publike dhe nuk e kanë mendjen të merren me problemet që prekin familjet shqiptare apo punët e shtetit, u shpreh Gjermeni. Ajo shtoi se qeveria duhet të lehtësojë barrën e taksave që po varfërojnë qytetarët, dhe jo të shtojë taksa kudo.
Gjermeni u ndal në krizën ekonomike duke u shprehur se ajo po i rëndon çdo ditë e më shumë financat e familjeve shqiptare dhe po e vështirëson mbijetesën e tyre.
Çmimi i bukës është rritur përsëri në shumë qytete duke arritur në 1000 lekë. Siç e kishim paralajmëruar, kjo rritje ishte e pritshme. Rritja e fundit e çmimit të bukës vetëm 2 javë më parë, solli me një efekt zinxhir rritjen e çmimeve të ushqimeve të tjera bazë, tha deputetja e PS-së.
Ajo ka vlerësuar se rritja në çmimin e bukës, vjen nga interesat monopoliste që qeveria ka lejuar e po vazhdon të lejojë, që të veprojnë në importin dhe tregtimin e miellit me shumicë.
Ajo ka argumentuar se qeveria duhet të ndërhyjë për të kontrolluar monopolet dhe jo furrat e bukës të cilët janë kliente të monopoleve të miellit.
Kjo rritje, si dhe rritja e pritshme e artikujve të tjerë ushqimorë, është një barrë tepër e rëndë për të gjitha familjet shqiptare, e veçanërisht ato në nevojë. Të gjendur përpara indiferencës së një pushteti që synon vetëm përfitimin personal të pushtetarëve, 1 në çdo katër shqiptarë po fundoset nga kjo rritje çmimesh, shpreh deputetja e PS-së.
Gjermeni, në emër të PS-së ka bërë thirrje që pushtetit të lerë mënjanë pasurimin e xhepave të tij.
a.k/NOA